Kosova vazhdon të jetë një ambient jo i favorshëm dhe atraktiv, sidomos për investitorët e huaj.
Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, në emisionin “Ekonomia me Erëzën” në KTV tha se kjo është si pasojë e korrupsionit që është në nivel të lartë.
Ambasadori theksoi faktin që tani as investitorët e diasporës nuk po investojnë në Kosovë, pasi sipas tij, ata nuk janë “idiotë” që të investojnë në një ambient ku do të ketë probleme.
“Në Kosovë investitorët me të ardhur ikin në rajon sepse përfitimet i kanë më të mëdha. Por, pyetja ime është pse personat e pasur nga diaspora nuk investojnë në Kosovë? Sepse nuk janë idiotë, ata dinë se nëse investojnë kanë me pasur probleme. Dhe deri tash kam biseduar me disa investitorë të diasporës dhe më kanë thanë se gabimi më i madh është me investu në Kosovë”, deklaroi O’Connell.
Këto konkludime sipas O’Connell kanë ardhur si pasojë e korrupsionit të lartë, mosfitimit dhe humbjes së kohës.