Nikolliq nëse BE mendon të na kërcënojë, ose të na detyrojë të njohim ‘Kosovës dhe Metohisë’, mashtrohet keq

E publikuar: 24/01/2017 22:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Bruksel, udhëheqësit më të lartë të Kosovës dhe Serbisë takohen sonte me ftesë të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Takimi, në të cilin marrin pjesë kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, dhe presidentët e dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Tomisllav Nikolliq, është thirrur si një përpjekje e BE-së për t’i ulur tensionet midis dy palëve.

LEXO EDHE: 

Kelmendi: Deshën të më vrasin për të ma marr biznesin (Video)

Më 14 janar, Kosova ka ndaluar një tren të nisur nga Beogradi, të hyjë në territorin e saj. Treni, me mbishrimin “Kosova është Serbi” dhe simbole kishtare mesjetare, është parë si provokim në Prishtinë.

Thaçi ka thënë se synim i Serbisë, përmes këtij treni, ka qenë të aneksojë veriun e Kosovës.

Sipas Nikolliqit, me ndalimin e trenit, Kosova ka treguar se dëshiron luftë me Serbinë.

Pas takimit të sotëm dypalësh të delegacionit të Serbisë me zonjën Mogherini, Nikolliq tha se përfaqësueja e lartë e BE-së nuk ka dalë me asnjë propozim apo kërkesë, mbi të cilën do të duhej të arrihej marrëveshje.

Nikolliq po ashtu tha se “bisedime për pavarësinë e Kosovës nuk ka dhe nuk mund të ketë” dhe se mund të flitet “vetëm për paqe dhe jetë të përbashkët në Kosovë”.

“Nëse BE mendon të na kërcënojë ose të na bëjë presion, ose nëse cilido shtet tjetër mendon se mund të na detyrojë të njohim pavarësinë e ‘Kosovës dhe Metohisë’, mashtrohet keq”, tha Nikolliq.

Marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë kanë nisur të tendosen qysh në fillim të këtij muaji, kur ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është ndaluar në Francë, në bazë të një urdhërarresti nga Serbia. Kjo e fundit e akuzon Haradinajn për krime lufte.

Edhe Beogradi, edhe Prishtina synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe normalizimi i marrëdhënieve është kusht për përparimin e tyre.

Takimi i së martës është i pari në nivel të lartë pas një periudhe njëvjeçare.

Ndërkaq, është hera e dytë që në takim marrin pjesë edhe presidentët. Në vitin 2013, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është takuar në Bruksel me homologun serb, Nikolliq.

Po atë vit, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve. Të dyja palët kanë thënë se kanë marrë atë që kanë dashur nga marrëveshja, porse zbatimi i pikave të saj lë për të dëshiruar, transmeton rel.

Në prag të takimit të sotëm, Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Mogherinit, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi ka rëndësi jo vetëm për këto dy vende, por edhe për Bashkimin Evropian.