Isa Mustafa: Nuk do ta japim asnjë hektar tokë për liberalizim

E publikuar: 22/01/2017 21:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, beson që brenda mandatit katër vjeçar të qëverisjës do të arrijë ta përmbush premtimin për punësimin e 120 mijë kosovarëve.

Mustafa në intervistën për Gazetën Fjala thotë se gjatë vitit 2015/2016 në Kosovë janë punësuar afro 40 mijë persona.

I pari i ekezekutrivit krenohet edhe me investimet që  kanë ardhur nga jashtë, madje nuk pajtohet edhe me faktin se në vitin e kaluar kishte rënie të investimeve.

“Me gjithë respektin, mendoj se nuk është konstatim i drejtë se janë në nivelin më të ulët që nga paslufta. Në fakt, në vitin 2015 ka pasur investime të huaja direkte në nivel më të mirë se 3 vjetët paraprak, mbi 300 milionë euro, ndërsa për vitin 2016, deri në vjeshtë kanë arritur mbi 200 milionë euro”, thotë mustafa.

Kryeministri Mustafa në këtë intervistë ka treguar se demarkacioni me Malin e Zi do të përfundojë shpejt, derisa ka premtuar se Kosova nuk do të falë asnjë hektar të tokës në këmbim të liberalizimit të vizave.

“Ne nuk do ta japim asnjë hektar për liberalizim, por po ashtu nuk ka të drejtë askush që të mbajë peng dhe të izoluar qytetarët e Republikës së Kosovës”.

Kryeministri Mustafa në këtë intervistë ka folur edhe për raportet tregtare mes Kosovës dhe Serbisë. Për ndaljen e trenit rus, për gjykatën speciale dhe raportet mes koalcionit PDK –LDK.

 Gazeta Fjala: Kryeministër keni hyrë në vitin e tretë të qeverisjes. A vlerësoni se i keni përmbush zotimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore?

 Kryeministri Mustafa: Mund të them se kemi bërë përpjekje maksimale, që brenda mundësive dhe rrethanave, të realizojmë premtimet dhe zotimet që kemi dhënë në fushatë, por edhe orientimet programore të partnerëve të koalicionit, të reflektuara në programin qeveritar.

Nënshkrimi i MSA-së, nisja e suksesshme e zbatimit të saj, rritja ekonomike më e lartë në rajon për dy vite, buxheti mbi 2 miliardë euro, ulja e ndjeshme e papunësisë nga 35 % në vitin 2014, në 26 % në vitin 2016, përmbushja e kritereve dhe marrja e rekomandimit për liberalizimin e vizave, kodi telefonit, rritja më e madhe e pensioneve dhe përkrahjes sociale që ka ndodhur ndonjëherë mbi 25 % deri në 70 % për pensionet, adresimi i çështjes së veteranëve, miratimi i Ligjit zhvillimor për Trepçën,  çështje të zgjidhura pas 17 viteve, anëtarësimi në UEFA dhe FIFA, vlerësimet e larta të FMN-së dhe Bankës Botërore lidhur me qëndrueshmërinë makroekonomike dhe buxhetore, stabiliteti institucional e shtetëror dhe lidershipi politik për të mos lejuar zhytjen e vendit në kaos dhe anarki, fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar, ballafaqimi i suksesshëm me provokimet e rënda të Beogradit gjatë ditëve të fundit janë vetëm disa prej rezultateve konkrete, të matshme dhe të prekshme nga qytetarët të cilat janë arritur përkundër sfidave të mëdha me të cilat jemi ballafaquar.

 Gazeta Fjala: Gjatë kësaj periudhe sa qytetarë janë punësuar në Kosovë? Keni premtuar 200 mijë vende pune.

 Kryeministri Mustafa: Siç edhe mund ta keni përcjellë gjatë 2 viteve të qeverisjes, fokusin plotësisht e kemi pasur në gjenerimin e rritjes ekonomike dhe në krijimin e vendeve të reja të punës.

Kemi filluar me ndryshimet fiskale dhe stabilitetin financiar, për të përcjell me një sërë reformash në shumë fusha. Nuk mund të anashkalohet efekti i pakos së parë fiskale, të cilën bizneset e kanë cilësuar si masë e dëshirueshme për t’u zhvilluar më tej, e ekonomitë familjare si masë që e ka lehtësuar konsumin bazik. Kemi themeluar dhe funksionalizuar Fondin për Garanci Kreditore, që pritet të ketë efekt direkt në lehtësimin e hapjes së bizneseve të reja. Kemi investuar në energjetikë dhe jemi pranë investimeve edhe më të mëdha. Kemi nënshkruar dhjetëra marrëveshje ndërkombëtare financiare, e po ashtu, edhe MSA-në, programin me FMN-në. Kemi ndarë shuma rekorde për të subvencionuar bujqësinë. Kemi falur borxhet publike, kemi aprovuar Projektligjin për Investimet Strategjike, për Trepçën e të gjitha këto kanë ndikuar që të ketë rritje të ekonomisë me 4% për vitin 2015 dhe presim po ashtu, normë të ngjashme edhe për vitin 2016.

Në anën tjetër, Agjencia e Statistikave të Kosovës tregon se norma e papunësisë ka rënë nga 35 % në rreth 26%.

Megjithatë, burimet tjera të të dhënave si për shembull, Administrata Tatimore e Kosovës apo Fondi i Kursimeve Pensionale tregojnë se gjatë vitin 2015 kemi rreth 18 mijë mijë persona të rinj që kanë kontribuar aktivisht ose përmes taksave ose për kursimet e tyre pensionale. Kjo tregon se këta 18 mijë persona kanë hyrë për herë të parë në punë gjatë vitit 2015. Për vitin 2016 vlerësohet se kjo shifër ka arritur në mbi 22 mijë persona, që nënkupton se trendi i punësimit po vjen duke u rritur, duke pas parasysh se edhe efekti i politikave të ndërmarra më herët ka arritur të jetë më i fuqishëm dhe në vit të plotë. Presim që ky trend të përshpejtohet edhe më tutje, duke u krijuar edhe më shumë vende pune në vitin 2017 e 2018, për të arritur afërsisht atë që e kemi premtuar, që është deri në 120 mijë të punësuar.

Gazeta Fjala: Ka shpërputhje të madhe me atë çfarë deklaroni për papunësinë dhe të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Kujt duhet ti besojnë qytetarët?

 Kryeministri Mustafa: Në fakt mund të them se ka përputhje të konsiderueshme të asaj çfarë po deklarojmë dhe të dhënave të Agjencisë së Statistikave.

Pra, nëse krahasojmë atë që kemi premtuar dhe e kemi realizuar në dy vitet e kaluara, si dhe trendin e rënies së papunësisë, sipas ASK-së nga 35% në 26%, atëherë mund të themi se dy palët po e konfirmojnë se ka rënie të papunësisë dhe rritje të punësimit.

Gjithsesi, e rëndësishme është se Agjencia e Statistikave apo ATK e Trusti adresojnë shumë aspekte të rëndësishme të informatave për tregun e punës, dhe duhet ta kemi parasysh se ka ende informalitet në masë të konsiderueshme në ekonominë tonë. Në këtë kontekst, po e marr shembull sektorin e bujqësisë ku Anketa e Fuqisë punëtore identifikon më pak se 10 mijë vende pune, apo ATK e Trusti, ngjashëm, mirëpo, hulumtimet e specializuara të ASK-së dhe MBPZHR-së tregojnë se janë diku rreth 80 mijë njësi pune në këtë sektor për vitin 2016, duke treguar se informaliteti është i lartë dhe nuk mund të identifikohen këto vende pune as me ASK-në as me ATK-në e Trustin. Në parim, duhet të analizojmë të gjitha të dhënat në dispozicion, dhe në analizat që janë bërë në Qeveri, konkludojmë lirshëm se për dy vite janë punësuar, të paktën 40 mijë qytetarë për herë të parë.

Gazeta Fjala: Kryeministër, pavarësisht rritjes ekonomike, gjatë mandatit tuaj Investimet e Huaja Direkte në Kosovë kanë rënë në nivelin më të ulët që nga paslufta. Cili është shkaku që nuk arritët të sjellni investitorë në Kosovë?

 Kryeministri Mustafa: Me gjithë respektin, mendoj se nuk është konstatim i drejtë se janë në nivelin më të ulët që nga paslufta. Në fakt, në vitin 2015 ka pasur investime të huaja direkte në nivel më të mirë se 3 vjetët paraprak, mbi 300 milionë euro, ndërsa për vitin 2016, deri në vjeshtë kanë arritur mbi 200 milionë euro.

Që të jemi sa më preciz me ju, të marrim vetëm tre vitet e fundit para marrjes së mandatit, pra vitet 2012, 2013 dhe 2014 investimet e huaja kanë qenë 229 milionë, 280 milionë përkatësisht 151 milionë euro. Në vitin 2015, që është viti i parë i qeverisjes sonë investimet e huaja direkte kanë qenë 308 milionë, pra mbi 100 % më të mëdha sesa viti paraprak dhe dukshëm më të mëdha se dy vitet tjera. Këto janë të dhëna zyrtare të BQK-së, plotësisht kredibile. Andaj, nuk e di se nga ka rrjedhur pohimi juaj se janë më të ulëtat që nga paslufta.

Prandaj, ne arritëm të sjellim investime të huaja. Personalisht kam qenë në shumë vizita jashtë vendit me qëllim të bashkëbisedimit me investitorë që do të investonin në Kosovë. Kemi pasur vizita ne Landin e Baden-Ëurtenbergut dhe Bajernit në Gjermani, në Berlin po ashtu. Gjithashtu, së fundi patëm edhe konferencën me investitorët nga Anglia, në Londër, që e konsiderojmë si sukses dhe se tani jemi në pritje të një vizite nga biznesmenët nga Londra. Po ashtu, në fund të këtij muaji do të mbajmë edhe konferencën me investitorë në Romë të Italisë prej nga ku shpresojmë po ashtu të kemi investitorë, sidomos që ka mjaft storie suksesi të bizneseve italiane në Kosovë. Tani, me mundësitë e reja që i jep Ligji për Investime Strategjike, në besojmë se do të mund të tërheqim edhe më tej investitorë dhe do të përshpejtojmë rritjen ekonomike e gjenerimin e vendeve të punës.

 Gazeta Fjala: Si mund të bëhet Kosova atraktive për investitorët e huaj, me nivelin e lartë të korrupsionit, mos efikasitetin e gjykatave, haraqin e pasigurinë politike në vend?

 Kryeministri Mustafa: Ekziston një skepticizëm më i madh se që duhet për Kosovën kur shihet si vend potencial për investime. Për shumë arsye. Njëra nga to është edhe korrupsioni, percpetimi për të edhe joefikasiteti i gjyqësorit. Por, për këto Qeveria ka ndërmarrë hapat e saj kushtetues siç janë financimi dhe pavarësimi i sistemit të drejtësisë. Këtë konsideroj se e kemi bërë më shumë se gjithmonë. Po ashtu, kemi punuar edhe për të krijuar njësitë e veçanta të gjyqësorit që do të trajtojnë lëndët e investitorëve të huaj. Por në anën tjetër, një kohë e kemi rënduar ambientin tonë pasi që lajmet kryesore që i kemi shpalos para mediave të huaja ishin ato të gazit lotsjellës, po ashtu, atë perceptim se Kosova është e korruptuar. Nuk dua të nxjerr krahasime këtu, vetëm se edhe pse në raportet e ndryshme ne e vendosim veten si ndër vendet më të korruptuara, në fakt, shumë nga ne pajtohemi se Kosova nuk është më e korruptuar se asnjëri nga vendet rajonale. Anketa e fundit e Transparency International e vërtetoi këtë. Në Kosovë është raportuar se 10% e të anketuarve kanë paguar mito për ndonjë shërbim apo diçka të ngjashme, ndërsa në vendet tjera rajonale kjo ishte dy apo trefish më e lartë. Po ashtu, nuk duhet të biem në kurthin e ngjarjeve të viteve të kaluara, të cilat janë publikuar në këto vite dhe të mendojmë se tani ka korrupsion. Në këtë mandat nuk ka pasur ndonjë skandal, dhe në ato raste që kemi pasur informatë për ndonjë zyrtar që hetohet, i kemi larguar.

 Gazeta Fjala: Përveç efektit në skenën politike, cili prisni të jetë ndikimi i Gjykatës Speciale në ekonominë e vendit?

 Kryeministri Mustafa: Unë besoj shumë në kapacitetet tona institucionale si dhe në pjekurinë politike, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovë në aspektin politik, ekonomik, social dhe kohezionin e përgjithshëm për t’u përballur me sfida të vështira.

 Gazeta Fjala: Aktualisht importojmë mbi 90 për qind të produketeve nga Serbia. Cila do të jetë alternativa për të evituar varshmërinë ekonomike nga ky shtet?

 Kryeministri Mustafa: Në fakt edhe këtu kemi të bëjmë me një interpretim të gabuara të treguesve ekonomik. Për shembull, ka shumë raste kur thuhet se shumica e produkteve që Kosova importon janë nga Serbia. Kosova pjesën dërmuese të importeve e ka nga vendet e BE-së. Në anën tjetër, nga vendet e rajonit importojmë në së shumti nga Serbia (rreth 15-17% të të gjitha importeve), por assesi Kosova nuk importon përqindje çfarë edhe raportohen shpesh në këtë kontekst.

Andaj, rritja graduale e prodhimtarisë vendore, fuqizimi i eksporteve, rritja e mëtejshme e granteve dhe subvencioneve në bujqësi dhe sektorë të tjerë strategjikë, të cilat dy vitet e fundit kanë qenë në nivele rekorde, shfrytëzimi i MSA-së për eksporte, pakoja e dytë fiskale, rritja e konkurrueshmërisë së kompanive vendore, rritja e konsumimit të prodhimeve vendore nga qytetarët e Kosovës e cila shkon në proporcion të drejtë me rritjen e kualitetit,  do të bëjnë që Kosova të balancojë raportin tregtar me të gjitha shtetet, përfshirë edhe atë me Serbinë.

Unë nuk mendoj se kemi varshmëri ekonomike nga Serbia por është e vërtetë se kemi një deficit tregtar të ndjeshëm të cilin po punojmë ta balancojmë dhe stabilizojmë, me masa në shumë drejtime.

 Gazeta Fjala: A do të ketë liberalizim të vizave këtë vit për kosovarët pasi përveç demarkacionit pengesë janë edhe gjykimi i dhjetëra rasteve për korrupsion të profilit të lartë?

 Kryeministri Mustafa: Sa i takon luftimit të korrupsionit, Qeveria tashmë ka përmbushur atë kriter, pasi që është funksionalizuar historiku i lëndëve që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin, i njohur si “track record”, dhe ka vlerësime pozitive për këtë çështje.

Ekziston një përkushtim i madh në luftimin e korrupsionit dhe Qeveria po bënë punën e saj duke marrë çdo masë ligjore në dispozicion, çdo veprim konkret, po kalohet me hapa të shpejtë në prokurimin elektronik. Qeveria ka suspenduar të gjithë zyrtarët publikë dhe përfaqësuesit politikë ndaj të cilëve janë ngritur akuza në lidhje me afera korruptive, dhe është ndërmarrë çdo masë në këtë drejtim. Nuk e kemi asnjë aferë korruptive që është shumë pozitive për më shumë se dy vjet qeverisje.

Gazeta Fjala:  Kush e ndali trenin provokues nga Serbia? Presidenti Thaçi, ju si kryeministër apo kryeministri i Serbisë Aleksandër Vucic?

 Kryeministri Mustafa: Trenin provokues të Serbisë e ndalën institucionet e Republikës së Kosovës, me përkrahjen substanciale të partnerëve ndërkombëtarë. Pra, trenin nuk e ndalën individët si të tillë por bartësit e institucioneve të Kosovës, në koordinim të plotë mes vete dhe me bashkësinë ndërkombëtare që na ofroi përkrahje të pazëvendësueshme në këtë proces. Sa i takon Kosovës, ndalja e trenit ishte rezultat i funksionimit të tërë zingjirit kompetent institucional të Kosovës, të gjitha hallkat e të cilit funksionuan si duhet. Nëse njëra hallkë nuk do të funksiononte, së bashku do të dështonim.

Gazeta Fjala: A prisni këtë vit të zgjidhet çështja e demarkacionit me Malin e Zi dhe Asosciacioni i Komunave Serbe?

 Kryeministri Mustafa: Kam besim dhe po punojmë intensivisht në drejtim të zgjidhjes së çështjes së demarkacionit me Malin e Zi. Së fundi ne e kemi themeluar edhe një komision për matjen e territorit në mënyrë që ta vërtetojmë qartë para qytetarëve se sa kilometra katrorë i ka pas Kosova para nënshkrimit të marrëveshjes më Malin e Zi dhe sa është pas nënshkrimit të marrëveshjes më Malin e Zi, në mënyrë që të shuhen të gjitha dilemat që janë krijuar te qytetarët. Ne nuk do ta japim asnjë hektar për liberalizim, por po ashtu nuk ka të drejtë askush që të mbajë peng dhe të izoluar qytetarët e Republikës së Kosovës.

Qeveria është e përkushtuar edhe për të implementuar marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ne do të fillojmë me implementimin e saj në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me Marrëveshjen e parë të vitit 2013, por me pjesëmarrje të serbëve dhe komuniteteve tjera në institucione. Ky proces do të jetë  transparent edhe për opozitën dhe për shoqërinë civile.

 Gazeta Fjala: A mund të jenë këto dy probleme arsye për zgjedhje të parkohëshme në Kosovë?

 Kryeministri Mustafa: Unë jam i bindur se këto çështje kanë më shumë mundësi të adresohen tani pasi që Qeveria ka legjitimitet, përfaqëson shumicën dërrmuese të qytetarëve si dhe po dëshmon gatishmëri e vendosmëri për t’u përballur me sfida serioze duke krijuar një klimën e unitetit për kauzat shtetërore.
Sa i takon zgjedhjeve, jam i bindur se ato nuk do t’i hapnin mundësi adresimit të këtyre proceseve pasi që proceset elektorale që nuk janë paraparë në kalendarë prolongojnë proceset,  shkaktojnë tensione dhe vështirësi në ndërtimin e institucioneve dhe zgjidhjen e problemeve. Kosova ka një momentum të mirë dhe ka hapësirë për unifikim dhe për adresimin e shpejtë çështjeve madhore duke i hapur perspektivë të fuqishme qytetarëve dhe vendit./Gazeta Fjala/