Libri i sapobotuar i prof. dr. Bajram Kosumit “Zhanret e gazetarisë” profesionalisht shtjellon në hollësi pesë kapitujt që janë: Teoria e zhanrit gazetar, Gazetaria informative, Gazetaria analitike (opinioniste), Gazetaria letrare (publicistika), Gazetaria argëtuese. Libri me 420 faqe është botuar nga “University for Bussines and Technology”/ UBT në Prishtinë dhe recensentë janë: prof. asoc. Dr. Milazim Krasniqi dhe Arber Vllahiu.
Libri “Zhanret e gazetarisë” ka titullin pragmatik, sepse ashtu quhet kursi kryesor për zhanrin në Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Prishtinës. Ky libër synon që parësisht studentëve të gazetarisë t’ua shkoqisë ligjësitë teorike dhe praktike të zhanrit të tekstit gazetar. Pra, objekt i studimit të kësaj shkence, teorisë së zhanrit, është vetë teksti gazetar. Pavarësisht se në çfarë forme dhe statusi ekziston gazetaria, pavarësisht në gazetë apo portal “online”, teksti gazetar ende vazhdon dhe për një kohë të gjatë do të vazhdojë të jetë procesi themelor i formësimit dhe jetëshkrimit të informatës. Prandaj mësimi i tij, mësimi i parimeve themelore teorike e praktike të tij dhe mësimi i trajtave e i formave të ekzistimit të tij, është çështje parësore për studentin e gazetarisë. Libri ka qëllim që duke shpjeguar ligjësitë e përgjithshme dhe të veçanta të ekzistimit të një teksti gazetar, i cili dallon prej një teksti tjetër gazetar, studenti jo vetëm mëson ta dallojë një tekst nga tjetri, por edhe ta shkruaj ndryshe një tekst nga teksti i llojit tjetër zhanror.
Autori librit, prof.dr. Bajram Kosumi ka qenë protagonistë i ngjarjeve të 1981 dhe aktivist në procesin e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës. Ka qenë kryeministër, ministër, deputet i zgjedhur. Aktualisht është Rektor i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, ligjërues në degën e Gazetarisë, Fakulteti Filologjik, Universiteti i Prishtinës.
KAPITULLI i parë i librit “Zhanret e gazetarisë” përmban: Teorinë e zhanrit gazetar, ku flitet për ekzistimin e teorisë së gazetarisë në përgjithësi dhe teorinë e zhanrit gazetar në veçanti. Flitet për tipologjinë gazetare dhe ndarjen e gazetarisë në tipa, si gazetari e shkruar apo “online”, gazetari ditore apo javore, gazetari ekonomike apo informative etj.
KAPITULLI i dytë i librit përmban: Gazetarinë informative, ku shtjellohen llojet dhe nënllojet zhanrore informative: lajmi, llojet e shkurtra të lajmit (flashlajmi, antërfajlli, fotolajmi, lajmi i titruar), raporti, kronika, artikulli i veçantë (fiçori), nekrologjia etj.
KAPITULLI i tretë i librit përmban: Gazetarinë analitike (opinioniste), ku flitet veç e veç për llojet e ndryshme zhanrore të kësaj gazetarie, ato që janë më të përhapura jo vetëm në gazetarinë shqiptare por edhe më gjerë. Shtjellohen gjerësisht: editoriali, komenti, analiza (artikulli analitik), kryeartikulli, kolumna, intervista, “vox pop”-i, dosja, letrat e lexuesve etj.
KAPITULLI i katërt i librit përmban: Gazetarinë letrare (publicistikën), ku shtjellohet zhanri publicistik ose gazetaria letrare. Ndër të tjera shtjellohen elementet letrare të cilat gazetaria i merr prej letërsisë, si dhe çështje të tjera si: origjinaliteti në publicistikë, imagjinata dhe e vërteta, gazetaria letrare dhe letërsia dokumentare, tendenca dhe tipikja në gazetarinë letrare. Sikurse dhe shtjellohen llojet e veçanta zhanrore të kësaj gazetarie si: reportazhi (raporti letrar), fotoreportazhi, karikatura, udhëpërshkrimi, udhërrëfyesi (guida), polemika, pamfleti, fejtoni (nënfleta), kozeria, recensioni, bibliografia, eseja, skica, portreti (profili), dhe shënimi.
KAPITULLI i pestë i librit përmban: Gazetarinë argëtuese, ku shtjellohet për herë të parë në mendimin gazetar shqip, përdorimi i gazetarisë për argëtim. Ku janë shtjelluar dy format kryesore të argëtimit përmes gazetarisë: entertaiment dhe infotaiment.
Prof. dr. Bajram Kosumi ka publikuar disa libra dhe shumë artikuj shkencorë në revista të ndryshme vendore e ndërkombëtare. Me punimet shkencore ka qenë pjesëmarrës dhe ligjërues në shumë konferenca shkencore vendore e ndërkombëtare. Librat e publikuar nga Prof. dr. Bajram Kosumi janë: Koncept për subpolitikën, Zgjimi, Ferizaj, 1995; Fjalor i Barbarëve, Brezi ’81, Prishtinë, 2000; Botim i dytë: MA, 2009; Koncept për mendimin e ri politik, Brezi ’81, Prishtinë, 2001; Lirika e Fishtës, Botimet Toena, Tiranë, 2004; Një vit vendimtar, Botimet Toena, Tiranë, 2006; Botimi i dytë: e-book, Botimet Filozofia Urbane 2013; Letërsia nga burgu-kapitull më vete në letërsinë shqipe, Botimet Toena, Tiranë, 2006; Fishta dhe tradita letrare shqiptare, Brezi ’81, Prishtinë, 2012; Fishta dhe letërsia shqiptare e traditës, Botimet Filozofia Urbane, e-book, 2013, “Tipoligji dhe zhanër” 2015, dhe libri i fundit është “Zhanret e gazetarisë”. G. T.