Prishtinë, 18 janar – Hapja e konkursit për hartimin e projektit ideor dhe projektit zbatues për Muzeun e Historisë së Natyrës është i pari hap konkret që ka bërë Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit për të siguruar vend të përhershëm për koleksionin me eksponate që tash e 16 vjet mbahet në depo.
Ky institucion është në kërkim të projektuesit që do të parashikojë sesi do të duket objekti në të cilin do të vendosen eksponatet e natyrës, që aktualisht ndodhen në Muzeun e Kosovës. Deri më 31 të muajit mars është afati për dorëzimin e aplikacioneve, shkruan sot “Koha Ditore”.
Objekti i Muzeut të Historisë së Natyrës do të ndërtohet në Fushë-Kosovë, në hapësirën që quhet “Te Pishat”, në fshatin Sllatinë e Vogël, dhe për finalizimin e tij duhen mbi 1 milion euro dhe tre vjet kohë.
Mbi një mijë sosh që gjenden në bodrumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës në qershor të 2001-it ishin zhvendosur nga objekti i tyre në kompleksin e Muzeut Etnologjik. Në vitin 2013, këto eksponate ishin nxjerrë nga bodrumi i Muzeut për herë të parë, 12 vjet pas luftës. Vetëm asokohe 100 eksponate kishin përfunduar në bërllok, pasi ishin shkatërruar. Numri i tërësishëm ka qenë 1.812 eksponate, meqë përfshihen edhe insektet. Një pjesë e tyre është bartur në Beograd në kohën e luftës.
Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, të Rinisë e të Sportit, ka thënë se sipas kornizës afatmesme ky projekt planifikohet të finalizohet në vitin 2019