Mustafa i përgjigjet Nikoliqit: Serbët e Kosovës s’janë të rrezikuar, koha e konflikteve dhe luftërave ka shkuar

E publikuar: 15/01/2017 15:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i  Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se serbët e Kosovës nuk janë dhe nuk do të jenë të rrezikuar, dhe se nuk kanë nevojë për mbrojtje nga Beogradi.

Mustafa ka shkruar se koha e provokimeve, konflikteve dhe luftërave, duhet të ketë shkuar.

Lexo edhe:

Nikoliq: Jemi të gatshëm ta çojmë ushtrinë në Kosovë

Ai ka theksuar se provokimet, të cilat kohëve të fundit në mënyrë sistematike po i bën shteti serb në Kosovë, janë veprime të papranueshme, të panevojshme dhe nuk i kontribuojnë fqinjësisë së mirë dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

“Kosova është e interesuar t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, t’i integrojë qytetarët serbë në institucionet dhe në jetën demokratike të vendit, sikurse edhe të gjithë pjesëtarët e komuniteteve joshumicë. Por, kjo gatishmëri duhet të përcillet me qëndrime konstruktive të Serbisë ndaj këtij procesi, si dy vende që aspirojmë të bëhemi pjesë e familjes së Bashkimit Evropian”.

Ai ka thënë se muri i ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës, jo vetëm pa leje, por edhe në kundërshtim me rregullat urbane dhe ligjore, do të rrënohet.

“Institucionet e Kosovës e kanë bërë të qartë se nuk do të dialogojnë për këtë mur në Bruksel, pasi ai as që ka qenë kurrë pjesë e marrëveshjeve apo dialogut. Por, po ashtu, vlerësoj se institucionet e BE-së duhet të ushtrojnë ndikim që këtë mur ta heqin ata që e ndërtuan, sepse ata që ndërtojnë mure në Ballkan, nuk mund të jenë të dinjitetshëm për t’u bërë pjesë e Evropës pa mure (pa kufij)”, ka shkruar kryeministri Mustafa.