“Pakoja fiskale dy mbështetje të fuqishme për bizneset”

E publikuar: 13/01/2017 14:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Financave Avdullah Hoti, zëvendëskryeministri i Kosovës Ramiz Kelmendi dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami u takuan sot me përfaqësuesit e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, ku diskutuan për propozimet për politikat e reja fiskale.

Në këtë takim u diskutuan edhe masat e pakos së re fiskale dy, me ç`rast  Hoti, Kelmendi dhe Bajrami theksuan rëndësinë që ka implementimi i këtyre masave për përmirësimin e kushteve të të bërit biznes, rritjen e punësimit si dhe për rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike të vendit dhe përmirësimin e mirëqenies sociale për qytetarët e Kosovës.

Ndërsa përfaqësuesit e Klubit të Prodhuesve u shprehën të kënaqur për përkrahjen që po ju ofron Qeveria përmes politikave fiskale si atë të vitit të kaluar por edhe me ndryshimet e reja që pritet të ndodhin  gjatë këtij viti përmes Pakos së re fiskale. Gjithashtu përfaqësuesit e prodhueseve të Kosovës dhanë  propozimet e tyre për pakon e re fiskale 2.0.

Zyrtarë qeveritarë u zotuan se të gjitha propozimet që vijnë nga komuniteti i biznesit do të shqyrtohen dhe do të shikohet mundësia për përfshirjen e tyre në pakon e re fiskale në mënyrë që ti paraprijnë përmirësimit të mjedisit të të bërit biznes në vend, ata gjithashtu theksuan se Qeveria e Kosovës do të angazhohet që bizneset vendore të jenë në gjendje të konkurrojnë si biznese të barabarta në tregun ndërkombëtarë, transmeton Klan Kosova.