Ramiz Kelmendin do ta ndjekin gjithmonë dy palë sy, sytë e Mona Lizës. Njëri letërsia e tjetri gazetaria. Një palë sy që mbeten enigma ndër shekuj. Më joshin mbi të gjitha sytë e saj…
Provova me ik prej saj, me shpëtu prej atyre dy syve, por ata kishin një fuqi magneti.
Është i nderuar një komb që ka një personalitet të tillë. Është më e begatuar një kulturë që ka në gjirin e vet një pishtar të tillë të gjallë, është shumë më e pasuruar një letërsi që ka një penë të denjë si të Ramiz Kelmendit. Gjithsesi, është i privilegjuar një shkrimtar që ka një publik të tillë. Ramiz, ja kush te ka dashur me gjithë shpirt, ky publik i mrekullueshëm, këta banorë të mbretërisë së lashtë të librit, qe nuk t’u ndanë për asnjë çast, as kur të ndiqnin 7 e as kur të përndiqnin 77.
Ramiz Kelmendi është njeriu i ndjenjave të holla, prijësi i urtë i pajtimtarëve, por edhe i armatës së gazetarëve. Ai ka trasuar rrugë e ka hapur shtigje, ai na e ka zgjuar dashurinë për letërsinë, për të bukurën dhe të madhërishmen. Ai i ka dhuruar kulturës sonë një thesar të madh shkrimor. Në misionin e tij letrar ka pasion dhe prirje, dhunti dhe imagjinatë, vizion dhe erudicion.
Tavolina e punës është fushëbeteja e tij, pena është arma e tij, fjala është kreshta më e bardhë përmbi Bjeshkët e Rugovës, fjala është fryma e shpirtit të tij, libri është drita e syve të tij, e numri i madh i lexuesve dhe i adhuruesve të veprës së tij, së bashku me studentët e dalë nga Fakulteti i tij – të cilët e mbajnë sot mbi supet e tyre gazetarinë në Kosovë, janë armata e tij.
Në njërën prej intervistave të tij (Letërsia ime është pjellë e padrejtësive të sistemit totalitar), pyetjes: “Jeni pedagog me shumë vjet përvojë pune. Tash a ndjeni mall dhe dëshirë që të ligjëroni para studentëve?”, Ramiz Kelmendi i është përgjigjur se një gjë e tillë është një mall i përjetësisë. Por, të hysh në botën letrare dhe intelektuale të një kombi si figurë emblematike, të jesh në botën mendore, kulturore dhe shpirtërore të një kombi klasik i gjallë; të rrezatosh dritë, dije, kulturë, paqe, vëllazëri dhe pajtim; të jesh rilindës i kombit të cilit ke krenarinë t’i takosh, të ligjërosh me pasion dhe me përkushtim lëndën kombëtare “Histori e letërsisë shqiptare nga Rilindja e deri sot”, të jesh një nga hartuesit e Apelit të 215 intelektualëve, të jesh bashkorganizator i Kuvendit për Bashkimin e Pajtimit Kombëtar; të jesh pjesë e një rrugëtimi biblik për tek tubimi historik në Verrat e Llukës, te themelosh dhe të pagëzosh Fakultetin e Gazetarisë me emrin e princit të gjuhës shqipe Faik Konica, të jesh me shkrimet dhe udhëpërshkrimet, me reportazhet dhe margjinat, me çapitjet dhe kristalet e mendimeve, i pranishëm për më shumë se 60 vjet rresht, nëpër gazeta, revista, libra, monografi e krijimtari letrare të vazhdueshme, të mbledhësh kokrra kripe arbërore e rreze drite-të cilat lexuesi do t’i kërkojë me aq kureshtje, t’ia bësh lexuesit faqet e gazetave dhe të revistave dritare prej kah ai e sheh jetën dhe prej ku e kupton botën më bukur, të ngritësh me aq dinjitet kundër plagëve të shumta e kundër sëmundjes së mendjemadhësisë, kundër kompleksit të kryelartësisë duke i bërë thirrje arsyes dhe modestisë; të bëhesh pjesë e mendimit të përditshëm dhe pjesë e pandarë e ndikimit të përditshëm në jetën dhe në kulturën e kombit të cilit i takon, dhe për të cilin gjakon në mënyrën më të përkryer, do të thotë të ligjërosh përjetësisht.
Nderimi është një shenjë e lashtë dhe e lartë qytetërimi, prandaj nuk është rastësi që ne nderojmë sot jo vetëm një shkrimtar, por ne nderojmë sot edhe një familje emblemë në gazetarinë shqiptare, Familjen Kelmendi ashtu siç na ka mësuar ai me porosinë e tij te madhe:
Populli që nderon njerëzit e vet të mëdhenj, njerëzit e vet të rrallë, shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, para së gjithash e mbi të gjitha-nderon veten. Një popull që u ngre përmendore figurave dhe personaliteteve të veta më të nderuara, ai popull, para së gjithash e mbi të gjitha, i ngre përmendore kulturës së vet, qytetërimit të vet, historisë së vet. I ngre përmendore vetvetes.
Cila akademi e arteve dhe e shkencave, cili institucion kulturor nuk do të lakmonte mermerin monumental të këtij ligjërimi fjollor?
Përgjigja më e mirë le të jetë thirrja publike për institucionet zyrtare te kulturës, për ta botuar të plotë veprën letrare dhe publicistike të Ramiz Kelmendit.
Studiuesi i përkushtuar i veprës ramiziane Prend Buzhala, me të drejtë e ka krahasuar rëndësinë e veprës së tij me kronikat e Marin Barletit e me veprën e madhe të Servantesit. Me të drejtë ai ka folur për stilin ramizian e për artin ramizian. E kjo mjafton te thuhet se historia e letërsisë bashkëkohore shqipe nuk mund të shkruhet pa veprën e Ramiz Kelmendit, veçmas pa romanet e tij. Historia e publicistikës shqiptare nuk mund te shkruhet pa perlat e penës së tij.
Për Faik Konicën është thënë se jetoi mes librash dhe që s’e kuptoi jetën pa libra. E për Ramiz Kelmendin: Të lexosh, do të thotë në fakt, të zbërthesh të vërtetën. Çfarëdo që kam arritur në jetë, lidhet me librin dhe i kam nga libri, për librin e me librin.
Gëte ka thënë se imagjinata është një dhuratë hyjnore, se përjetësia arrihet përmes artit, sepse natyra është pikëpyetje e arti është përgjigje. Cvajg shkruante se vetëm duke u matur me të përjetshmen, njerëzimi kupton thelbin e tij të vërtetë, kurse Kafka theksonte se çastet e veta të fundit të pavdekshmit i kalojnë nëpër libra leximi.
Poeti i Laurës (Dielli shoi yjet, e ajo shoi Diellin!), Françesko Petrarka është quajtur me të drejtë President i Përjetshëm i Republikës Universale të Letërsisë. Republika e Italisë do ta nderonte shkrimtarin nobelist Eugenio Monatle, me titullin Senator i Përjetshëm. Po nga kjo Republikë, Luigji Pirandelo, do të thoshte me krenari: Është e madhërishme të jesh njeri. Nuk është një rastësi pse në Akademinë Franceze është vënë mbishkrimi: Përjetësisht. Ashtu siç nuk është rastësi pse Romen Rolan besonte se të krijosh do të thotë të fitosh përjetësinë.
Ramiz Kelmendi, ky nestor i urtë e njeriu i letrave përballë përbuzjes siç e kanë quajtur me të drejtë, kërkon kronikat e shpalosura në ballin e kohës. Kërkon dhe i gjen në thellësinë e shekujve letrarë. E tek më pyet për të satën herë: Dhe çke që kërkon të më hysh në shpirt, të më bredhërisësh nëpër mend, të më çapitësh nëpër copëza jete? Është koha ajo që i gjen dhe i lexon përgjigjet në mbretërinë e lashtë të shkrimit. Janë breznitë orëmira ato që i falen dhe i përfalen prej nderimit, madje edhe me pak modesti. Perënditë nuk i duan vetëm ata që janë të ri. Perënditë i duan edhe ata që tokës i duhen më shumë se qiellit, ashtu siç e ka thënë poeti gjenial Omar Khajami: Duke shenjtëruar ndërgjegjen tonë! Po. Duke shenjtëruar ndërgjegjen tonë, sepse siç tha Cvajgu: Nuk ka gjyq tjetër përpara Zotit, pos ndërgjegjes. Pra, shqiptarët po ta falin edhe suksesin, por edhe epitetin aq te merituar ligjërues i përjetshëm i Fakultetit të Gazetarisë “Faik Konica”, sepse siç është thënë:
Me dritën e mendimit të kulluar që Ti pate
Frymëzon shpirtra e njoma, pas të shenjtës gjurmës sate
Zonja dhe zotërinj, një emër që e kemi për zemër, edhe një dëshmi se Rugova është shamibardha jote Shqipëri
Fragment nga fjala e përurimit të monografisë në katër vëllime për shkrimtarin Ramiz Kelmendi,e cila u mbajtë më 3 nëntor 2014, në Prishtinë
P.S.
Ndjehem krenar që jam bashkëkohanik i njeriut të madh, i shkrimtarit të madh,i gazetarit të madh ,i kohës,i përditshmërisë tek frymon,gjallëron edhe Ramiz Kelmendi.
Të jetosh e të lexosh Ramiz Kelmendin mëson për jetën e një shqiptari nëpër periudha të ndryshme,ecejaket e tij nëpër rrugën e vështirë për të qenë me emrin shqiptar.
Pa emrin e tij s’mund të shkruhet historia e letërsisë bashkëkohore,por as historia e publicistikës shqiptare .
Çuditërisht,sa herë e shoh bacën Ramiz,sikur e shoh Faik Konicën e gjallë.
Ku të gjej fjalët për t i thënë çka Ai i meriton, I madhi Ramiz,veç:
Njeri i rrallë ,
I nderuar ai komb që ka një Ramiz Kelmend.
Kaq. /g.dili/Kosovarja/2014