Ka gjashtë vite që kanë filluar bisedimet mes Kosovës e Serbisë por pas gjithë kësaj kohe një zyrtar i lartë i shtetit të Kosovës tha se Serbia po e rrezikon seriozisht dialogun me Kosovën.
Kështu ka deklaruar sot Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj në seancën e jashtëzakonshme të thirrur në Kuvendin e Kosovës.
E kritika të ashpra për këto bisedime në këtë seancë kanë pasur edhe deputetët e opozitës por edhe të pozitës, njofton Klan Kosova.
Deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli tha se urgjentisht dialogu duhet të rikonstruktohet derisa deputeti i PDK-së, Agim Aliu, tha se dialogu nuk mund të ndërpritet, por forma duhet të ndryshojë.
Por, më të ashpër në këtë pikë janë deputetët e opozitës. Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se ky dialog është i turpshëm dhe si i tillë duhet të ndërpritet.

















