Bora që po bie në Kosovë, ka vështirësuar qarkullimin rrugor, por sot gjitha rrugët nacionale janë të kalueshme.
Udhëheqës i Divizionit për Mirëmbajtjen e Rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës, Qemajl Januzi, ka thënë se të gjitha rrugët nacionale janë të gjitha të kalueshme përfshirë edhe rrugën Kaçanik – Han i Elezit.
“Sot është gjendje më e mirë. Të gjitha rrugët nacionale janë të kalueshme. Vetëm në Kullë, në pjesën nga Mali i Zi është e bllokuar rruga dhe presim që ata ta zhbllokojnë”, ka thënë Januzi për portalin Koha.net.
Januzi ka thënë se rruga për Brezovicë është hapur deri në 1.5 kilometra dhe pritet që nesër të hapet rruga deri te ski-liftët.
“Për Brezovicë rruga është hapur deri te vendi i ashtu quajtur ‘Parkingu i madh’. Nesër do të hapet plotësisht rruga për atje. Kompanitë janë duke punuar edhe për hapjen e rrugës që shpie për në Bajgorë”, ka thënë ai.
Sipas Jonuzajt, kompanitë e kontraktuara nga ministria po ndihmojnë edhe e hapjen e disa rrugëve lokale si në Ferizaj, Kaçanik e Dragash.
















