Nga Naim Malaj
Sot ka dalë në qarkullim libri « Gabimet fatale » të Vincent Noutille.
Ai pason librin e shkruar nga dy gazetarë francezë Gérard Davet dhe Fabrice Lhomme, « Një president nuk duhet ta thoshte këtë », të botuar në tetor 2016.
Në të dy librat del në pah se presidenti në detyrë, François Hollande, ka dhënë urdhër për vrasjen e më shumë se 40 personave, jashtë territorit francez.
Ja si e citon Le Monde këtë të fundit: « sa herë që të ketë sulme ndaj ushtarëve tanë, sa herë që të ketë marrje pengjesh, të rrembyer dhe të burgosur, çdo herë përgjigja do të jetë e adaptuar ». Këto operacione të quajtura « Homo », janë vrasje me paramendim të autorëve të atentateve, të organizuara nga Drejtoria e përgjithëshme e sigurisë së jashtme (DGSE) ».
Le Monde boton pjesë të librit : « i rrethuar nga këshilltarë të prirur nga aksioni ( …) François Hollande i ka dhënë urdhër të qartë shtabit të tij të përgjithshëm ushtarak të DGSE mbi këtë çështje : ata kanë dritën e gjelbër për të vrarë, edhe jashtë vendit( Ndt : Francës) bile edhe fshehurazi, « shefat e terroristëve » dhe armiq të tjerë të prezymuar të Francës »
Shumë vende janë të përfshirë: Siria, Iraku, Saheli.
Gazeta vazhdon të citojë »… së paku 40 veta janë ekzekutuar jashtë vendit midis 2013 dhe 2016. Është e qartë se bëhet fjalë për ekzekutime pa gjygj.
E njëjta gazetë kohë më parë do të shkruante në 1999 se Kosova ishte viktimë prej më shumë se 10 vjetësh e politikës së apartheid-it të udhëhequr nga Beogradi.
Më 10 prill 1999, Joshka Ficher, ministri gjerman i punëve të jashtme të kohës do të shprehej kështu për Le Monde : » kur ta njohim të gjithë të vërtetën besoj se do të jetë shumë e vështirë për ta përballuar » ai e krahason luftën e Jugosllavisë me luftën e viteve 30-40.
Më 3 prill, për të njëjtën gazetë, Rudolf Scharping, homologu i tij i mbrojtjes do ta quante atë çka po ndodhte » Gjenocid » ( Le Monde, 3 prill 1999),
Ndërsa Bill Clinton do të thoshte për The New Statesmen,( 15 novembre 1999) se ajo që po ndodhte në Kosovë ishte « përpjekje e qëllimtë dhe sistematike e gjenocidit »
Lionel Jospin, kryministër francez, në atë kohë shprehej se bombardimet e NATO-s ishin « në shërbim të së drejtës, në emër të lirisë dhe të drejtësisë » ( Le Monde, 27 mars 1999)
Ndërsa Tony Blair duke iu referuar të njëjtës, thotë : » ju premtoj se Millosheviçi dhe gjenocidi i tij i urryer, do të marrin fund këtu ». (The Guardian, 28 tetor 1999).
Ato që ndodhnin në Kosovë, u krahasuan prej klasës politke perëndimore me tmerret e shkaktuara nga nazistët në Evropë, kundër të cilëve rezistenca franceze dhe gjenerali De Gol iu kundërvunë me aksione konkrete dhe rezistencë të armatosur.
Mbi një millionë persona, shumica burra e gra, u dëbuan dhe u zhvendosën nga shtëptitë e tyre, mbi 20mijë gra e vajza u dhunuan nga ushtarët dhe paramilitarët serbë. Dhunimi u përdor si mjet lufte.
Më 14 dhjetor 2015, gazeta Zëri do të raportonte: “Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë 13 mijë e 549 persona, prej tyre 76 përqind civilë, kurse 24 përqind pjesëtarë të formacioneve të armatosura. Prej viktimave civile 1 mijë e 400 ishin nën moshën 18 vjeçare. Sa i përket përkatësisë etnike (…) shumica prej tyre janë shqiptarë me numrin prej 8 mijë e 693, kurse 1 mijë e 196 janë serbë dhe 445 romë dhe të tjerë”.
Ndërkohë policia franceze arreston Ramush Haradinajn, ish komandant i UCK-së, që luftoi kundër dhunës dhe terrorit shtetëro serb të Millosheviqit, transmeton infosot.com.
Sjell në kujtesë se Haradinaj iu nështrua precedurave penale të tribunalit të Hagës dhe ky i fundit e shpalli të pafajshëm. Pra ai arrestohet për një « faj » tashmë të gjykuar dhe të shfajësuar. A mos po hasim në një drejtësi me dy kute ?
Ceceroni do kish vënë duart në kokë e do kish thirrur : o tempora o mores….