“Përse u mllefosa me Kadri Veselin e Ramiz Lladrovcin”?

E publikuar: 04/01/2017 16:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

 

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Drenasit, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës Naim Bazaj, i cili për 17 ditë ka lobuar si i pavarur për kryetar të Komunës së Drenasit, për shkak se nuk e kishte nominuar partia e tij, ka folur gjerë e gjatë lidhur me këtë çështje.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota Sot”, Bazaj ka treguar arsyen se pse kryetari i PDK-së Kadri Veseli, e zgjodhi kandidat për kryetar komune ish-ambasadorin e Kosovës në Shqipëri Ramiz Lladrovcin, e jo atë. Ai ka folur për raportet me shefin e tij, të cilin gjatë fushatës e ka krahasuar edhe me Rankoviqin, dhe poashtu për raportet me kryetarin e ri të Drenasit, Lladrovcin.

Në këtë intervistë, Bazaj është pyetur edhe lidhur me atë se a çfarë pozite i është ofruar në këmbim të kandidaturës së tij si i pavarur dhe se a do të kandidojë si i pavarur në zgjedhjet e ardhshme lokale, nëse prapë PDK-ja nuk e propozon. Gjithashtu, ai ka treguar edhe për arrestimin dhe gjykimin që i është bërë në vitin 2006 për shkak të një sasie të armatimit, që ia kishte gjetur Policia e Kosovës.

Bota sot: Për 17 ditë lobuat si kandidat i pavarur për kryetar të Drenasit, e pastaj u tërhoqët. Çfarë ju shtyu të merrnit një vendim të tillë?

Naim Bazaj: Është e vërtetë se kemi dalë jo unë personalisht, por komplet pjesa e cila më ka propozuar mua dhe jo vetëm bashkësia jonë, por mund të them se kanë qenë diku 27 fshatra që më kanë propozuar mua për të kandiduar si i pavarur.  Fillimisht kam qenë i nominuar nga Partia Demokratike e Kosovës, prej seksionit të nëndegëve, por mandej ata e sollën një propozim krejt tjetër, dhe për këtë arsye më është dashur për të dal i pavarur. Qëllimi ka qenë i mirë, për vendin tonë dhe të mirat e qytetarëve të Drenasit. Është e vërtetë që qytetarët duan të kenë kryetar që është autokton, që është lindur, rritur dhe jeton këtu e jo një që vjen prej tjetër vendi si zoti Lladrovci, i propozuar nga Qendra pa pëlqimin e rrethit tonë. Kjo ka qenë arsyeja fillimisht, por kemi pasur mospajtime edhe si parti këtu. Arsyeja ka qenë që shumica prej anëtarëve të kryesisë nuk kanë dashur të pajtohen me propozimin e Kadri Veselit, por në fund ne u tërhoqëm dhe u desht me e përkrah atë.

Bota sot: Pse sipas jush Kadri Veseli e zgjodhi për kandidat Ramiz Lladrovcin dhe jo juve?

Naim Bazaj:  Nuk është hera e parë këtu në Drenas që nuk është pyetur kurrë dega e PDK-së, pa marrë parasysh ose kryesia e PDK-së, se sikur të ishin pyetur ato nuk do të kishim shkuar në balotazh. Sikur të isha unë, ma merr mendja që do të merrja 80 për qind të votave se kam pas një mbështetje të fuqishme në Drenas.

Bota sot: Ka pasur zëra se në këmbim të tërheqjes së kandidaturës tuaj, juve ju është ofruar pozita e zëvendësministrit të Ministrinë e Shëndetësisë. A është e vërtetë kjo?

Naim Bazaj:  Jo, këto janë vetëm spekulime. Këto vetëm janë raportuar në media, por unë nuk kam pranuar asnjë ofertë. E pashë që definitivisht këta mund të humbnin, dhe mos të them se jo vetëm që nuk do të fitonin, por as në balotazh nuk do të mund të arrinin. Me qëllim që unë të mos bie viktimë si përçarës kryesor i territorit të Drenicës  dhe Drenasit, unë kam pajtuar dhe siç thotë populli e kam përpirë një kerr me ferra”. Nuk kam dashur që dikush të bëjë me gisht nga unë se Drenasi është përçarë dhe PDK-ja u fundos. Unë e pashë që nuk ka nevojë me u fundos PDK-ja dhe ma ka marrë mendja pas balotazhit me fuqizimin e elektoratit së bashku me PDK-në, edhe pjesa jonë dhe e tyre si një kombinim, që diku 75 përdindëshi do t’i dilte  PDK-së.

Bota sot:  Keni deklaruar se Lladrovci është banori më i ri i Drenasit, dhe si i tillë nuk i plotëson të gjitha kriteret për të qenë kryetar i kësaj komune. Ku e mbështetni pohimin tuaj? Nëse ai nuk jeton në këtë komunë, a mendoni se do të mund të japë kontribut të mjaftueshëm për këtë vend nga Prishtina?

Naim Bazaj:  Të them të drejtën, personalisht them se në atë kohë ishim në fushatë. Gjithmonë në fushatë lejohet kapak edhe me i rrit sendet, kështu që ne ishim të arsyeshëm edhe për t’i kundërshtuar. Edhe Kadri Veseli, edhe PDK-ja në nivel qendror është zotuar se do të mbështes fuqimisht PDK-në, jo si Ramiz po komplet PDK-në në  Drenas, për t’ua kthyer borxhin qyetarëve të Drenasit. Ne mendojmë, se vlera e investimeve do të rritet për 13 milionë euro, të cilat si ka pasur kurrë Drenasi. Me mbështetjen e Kadri Veselit, disa investitorë të rinj do të vijnë për të investuar në Drenas.

Bota sot: Çfarë raportesh keni me Ramiz Lladrovcin?

Naim Bazaj:  Raportet me Lladrovcin i kemi pasur gjithmonë të shkëlqyeshme, edhe para se të kandidoheshim. Por, është e vërtetë se nganjëherë hidhërohesh edhe prej prindit. Thjeshtë  tash jemi duke bashkëpunuar, nuk kemi gjë të keqe në mes dhe në emër të partisë gjithmonë e mbështes dhe e përkrahi. Unë për hatër të partisë dhe krejt elektoratit që është kthyer, ishta i irrituar, por tani ato janë tejkaluar dhe jemi unikë dhe nuk do të kemi më telashe.

Bota sot: Ju jeni arrestuar në vitin 2006 gjatë një operacioni të Shërbimit Policor të Kosovës, bashkë me Skenderbe Hebibin e Mursel Bilallaj, për sasi të madhe armësh. A e konsideroni tani veten të pastër për punën që e bëni?

Naim Bazaj:  Unë kam qenë i akuzuar dhe jo i dënuar se shumë kush e ka keqinterpretuar. Nuk është e vërtetë që jam dënuar, por vetëm jam akuzuar, është e vërtetë që armatimi ka qenë i luftës  dhe mburrem me atë që kam pas armatim. Kjo ka ndodhur te një shok i imi Mursel Bilallaj. Por, për këtë jam i kompensuar nga gjykata dhe KGJK për të gjitha ato ditë që kam qëndruar në burg. Absolutisht nuk ka pasur asgjë dhe jam shpallur i pafajsëhm.

Bota sot: Gjykata e Apelit, ia konfirmoi Nexhat Demakut dhe të tjerëve dënimin me burg. Cili është komenti juaj lidhur me këtë, pasi edhe ju keni qenë pjesë e UÇK-së?

Naim Bazaj:  Ne edhe ditën kur u konfirmua aktgjykimi, kemi pasur mospajtime rreth kësaj çështje, dhe kemi vendosur që këto vendime t’i quajmë të padrejta, pasi janë dënuar pa kurrfarë baze ligjore dhe pa fakte. Disa prej tyre nuk kanë qenë në Kosovë fare dhe janë akuzuar dhe dënuar për vepra që janë bërë gjatë luftës në Kosovë.

Bota sot: Gjatë kohës sa bënit fushatë si i pavarur, a kishit mbështjetje të madhe nga simpatizantët në Drenas?

Naim Bazaj:  Po, unë gjithmonë kam kërkuar votat edhe në emër të PDK-së, pavarësisht se patëm mospajtime me kryetarin. Ne kemi pasur mbështetje të madhe, dhe ma merr mendja që gjithë ato fshatra e kanë parë edhe fuqinë tonë, dhe për këtë arsye, na është dashur të pajtohemi me shumë gjëra dhe m’u kthye sërish në PDK.

Bota sot: Si ju prisnin juve në oda dhe tubime të ndryshme të PDK-së, për fushatë elektorale në mbështjetje të Lladrovcit?

Naim Bazaj: Po, aty ku kam pasur simpatizantë më herët, na kanë pritur shumë mirë. Mund të them që fuqimisht PDK-së i është kthyer elektorati.

Bota sot: Për Lladrovcin keni thënë se Veseli e ka emëruar si kandidat me zarf dhe pa vendim të kryesisë së Drenasit. Ju madje edhe e keni krahasuar atë me Rankoviqin. A pendoheni për fjalët që i keni thënë?

Naim Bazaj:  Ai ka qenë një mllef i momentit. Është e vërtetë që i kam thënë se nuk po vepron mirë me propozimet që vijnë nga qendra. E mira është të pyetet gjithmonë populli se çfarë dëshiron. Nëse pranon populli, do të ishte i mirëseardhur gjithsecili. Por jo ashtu. Kemi pasur mospajtime në atë moment. Është e vërtetë që i kam thënë të gjitha ato që janë publikuar edhe në media.

Bota sot: Po tani, si i keni raportet me shefin tuaj, Veselin?

Naim Bazaj: Unë mirë i kam, ata që duan mire, zgjedhjet tjera vijnë shumë shpejt, kështu që besoj që mirë i kemi punët.

Bota sot: Duke u nisur nga raundi i parë i zgjedhjeve, në të cilin PDK-ja përveç se nuk fitoi, humbi shumë vota të simpatizantëve që i kishte në vitin 2013, a mendoni se ky subjekt do ta ketë të vështirë të fitojë edhe në komunat tjera?

Naim Bazaj:  Kjo ka qenë një test për PDK-në në nivel të Kosovës. Unë i falënderoj të gjithë qytetarët e Drenasit, që kanë dalë të qetë dhe kanë votuar pa imponime dhe zgjedhjet mund të quhen demokratike, sepse nuk është vjedhur dhe keqpërdorur asnjë votë dhe nuk ka asnjë vepër penale për të cilën është akuzuar dikush për këto zgjedhje. Kjo është për ti lavrdëruar qytetarët e Drenasit.

Bota sot: A do të kandidoni për kryetar të Drenasit në zgjedhjet e ardhshme lokale, edhe nëse sërish nuk ju kandidon PDK-ja?

Naim Bazaj:  Jemi në bisedime edhe z. Veseli dhe ma merr mendja që edhe PDK-ja, edhe Veseli do t’i pyesin edhe anëtarët e kryesisë, por edhe qytetarët e Drenasit dhe nuk do të ketë më propozime jashtë pëlqimit të qytetarëve të Drenasit.

Bota sot: Si asambleist i Kuvendit Komunal, cili është vlerësimi juaj për punën e ish-kryetarit Nexhat Demaku?

Naim Bazaj:  Kryetari i ri mund të shoh atë pasqyrën se çfarë është punuar deri më tani, por ne si asambleist, apo kryesues i Kuvendit, mundemi me i lavdëru për punën e bërë.

Bota sot: Cila do të ishte gjëja e parë që do të bënit, nëse do të zgjidheshit ju kryetar i Drenasit?

Naim Bazaj:  Punët e ekzekutvit dhe ato të legjislativit janë dy shtylla të ndara. Ne si legjislativ nuk mund t’i përzihemi në punë ekzekutivit. E drejtë e kryetarit është me i emëruar drejtorët, nëse dëshiron. Përndryshe, ai e ka të drejtën që brenda 10-15 ditëve t’i zgjedh ata. Kjo është kohë e shkurtër pasi janë në pyetje 10 muaj dhe mendoj, se s’mund të bëhen lëvizje kushedi sa meqë edhe buxheti ka kalur në Kuvendin Komunal, kështu që s’mund të bëhet mrekulli brenda këtyre muajve.

Bota sot: Për në fund, cili është Naim Bazaj, jashtë kuadrit politik?

Naim Bazaj:  Kohën e lirë zakonisht e kam të angazhuar nëpër takime me qytetarë të Drenasit, pasi gjithmonë kam qenë i afërt me ta, kam qenë mbështetës i tyre dhe më kanë përkrahur derisa unë ju kam ndihmuar. Kam menduar të jem gjithmonë siç thotë ajo fjala popullore “Një dorë në pushtet, një në milet”.

Bota sot:  Sa jeni i përkushtuar ndaj familjes dhe si e kaloni kohën e lirë?

Naim Bazaj:  Si çdo prind mundohem të jem i përkushtuar. Unë të shoqen e kam të papunë, fëmijët i kam në studime, dy në shkollë të mesme dhe një në fakultet, kështu që duhet të jem më i afërt dhe besoj që jam. Unë nuk e humbas kohën sikur dikush që udhëton nëpër perëndim, pasi nuk i kemi ato kushte dhe nuk kemi për të bërë shpenzime të larta. Gjithmonë kohën e kaloj në fshat me familje dhe vëllezër.

Bota sot:  A angazhoheni në punët e shtëpisë në mënyrë të barabartë me gruan tuaj?

Naim Bazaj:  Po është e vërtetë kjo, bile kur kemi shumë mysafirë, shpesh i bëjmë punët me përgjysmë dhe i ndajmë me bashkëshorten.

Bota sot:  A keni ndonjë pasion që i kushtoni rëndësi dhe kohë të veçantë?

Naim Bazaj:  Këto ditët e ftohta kam dëshirë që t’i kaloj në gjueti. Dal shpesh në gjueti, edhe pse së fundmi, për shkak të angazhimeve politike, nuk kam mundur që t’i përkushtohem këtij pasioni. /Bota Sot/