Prishtina dhe ndotja e mjedisit-ajrit

E publikuar: 26/12/2016 21:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Vokshi-Ylli
Të jemi të qartë,mbrojtja e mjedisit njëherë edhe e ajrit, në shekullin e ri duhej të ishte prioritet shtetëror i çdo shoqërie, pasi ajo ndikon direkt në kualitetin e jetës urbane në vendbanimet – qytetet tona. Në këtë drejtim vendimmarrësit tanë kanë bërë shumë pak në tërësi, prandaj aspak nuk më befason situata alarmante me ndotjen e ajrit në Prishtinë, e cila është si pasoj e politikave të gabuara mjedisore dhe urbane që është ndjekur në Kosovë. Kjo problematikë tërësisht është injoruar nga vet ne, duke mos menduar në pasojat katastrofale, që në kohën e fundit po shpërfaqën në formën ma të vrazhdë të tyre në Prishtinë dhe qytetet tjera në Kosovë.
Ky është vetëm një segment i vogël i degradimeve të mëdha të territorit urban dhe mjedisit në tërësi, që do të ketë pësojë në të ardhmen e afërme, të pa riparueshme për tërë shoqërinë tonë. Së fundmi e drejta për të jetuar në një mjedis të pastër është edhe detyrim Kushtetues që Qeveria duhet të iu garanton banorëve të vet.
Sa të çuditshëm jemi si popullatë,u alarmuam se e kemi ndotjen e ajrit ndër ma të mëdhatë në regjion,u aktivizuan shumë faktorë relevant për situatën në të cilën është kryeqyteti dhe vendbanimet tjera në Kosovë. Në kryeqytet u dha alarmi i rrezikut të madh nga ndotja,e shkaktuar nga disa shkaktarë të cilët vet ne i kemi krijuar dhe nuk i kemi trajtuar me dekada, përkundër asaj që faktorët vendimmarrës dhe opinioni i gjerë rregullisht është informuar për situatën dhe pasojat.
Kjo situatë me ndotjen e ajrit është me dekada prezentë,sot kur teknologjia po na mundëson të masim atë të pavarur nga institucionet përgjegjëse si MMPH apo Komunat po alarmohet situata reale. Së fundit Komuna e Prishtinës i ka vendosur matësit për matjen e ndotjes së ajrit, në 6 pika të fokusuara që duhet përshëndetur dhe ka filluar ti publikon rezultatet, për të trajtuar seriozisht këtë problematikë. Kishte kundërshtime të çuditshme për shkak të përzierjes në kompetenca por ajo u tejkalua, fal pajisjeve bashkëkohore me anën e të cilave çdo qytetar mundet të mat cilësinë ajrit. E tërë kjo situatë, si përpara, do të kalonte në heshtje po mos të alarmohej opinioni nga ambasada e SHBA-së,e cila i kishe bërë publike rezultatet e matjeve të veta të ajrit në Prishtinë. Atëherë me automatizëm u alarmua dhe u aktivizua opinioni, shoqëria civile, ekspertët e ndryshëm si dhe kompetentët relevant qeveritar.
E tëra kjo po krijon një situatë tragjiko-komike pasi thelbi i problemit qëndron në mungesën e VEPRIMIT konkret e jo në konstatimin e situatës alarmante me ndotjen e ajrit e cila është evidente në tërë Kosovën, posaçërisht në Prishtinë që në perioda specifike është në top-listën e ndotësve të mëdhenj në regjion e ma gjerë,si rezultat i shumë rrethanave abuzuese që kur është ndërtuar dhe zgjeruar si vendbanim urban. Jemi mësuar të merremi vetëm me pasojat e këtyre dukurive, si është ndotja e ajrit të ndotur nga shumë shkaktarë që i dinim gati të gjithë por deri me tani shumë pak kemi punuar për ti penguar apo parandaluar.
E kamë bindjen e lirë se kjo çështje u aktualizua posaçërisht me ia tërhequr vëmendjen popullatës nga situata e tendosur socio politike, në të cilën klasa jonë politike e ka pru popullatën në gjendje të pa shpresë, ku varfëria mendore dhe fizike vetëm ka filluar ti kaloi kufit e një jete të dinjitetshme dhe normale.
Në Prishtinë situata me ndotje të ajrit ishte shumë ma e keqe para se të fillon nxehja qendrore me gazin e termo-elektranave-kogjenerimin,të cilin duhet zgjeruar pasi ka mundësi teknike. Në ndotësit ma të mëdhenj shumë pak është investuar,vetëm është lejuar me u rritur numri i banorëve dhe automjeteve kurse mënyra e zgjerimit të kryeqytet është duke ndodhur me metodat e vjetra, kundër principeve të policentrizmit hapësinor dhe urban.
Do të ndalem pak në shkaktarin kryesorë të ndotjes së mjedisit, natyrisht edhe ajrit të cilin aq lehtë e anashkalojmë, ky është procesi kompleks dhe i komplikuar i Planifikimit Hapësinor dhe Urban i komunave dhe qyteteve tona e posaçërisht i kryeqytetit të shtetit, Prishtinës. Në vitet e pas luftës ka ndodhur ajo që nuk është dashur të ndodhe, falë veprimeve tona të pafalshme vandalistë, me trajtimin e hapësirës urbane. Është e pa shpjegueshme sa shumë është punuar mbrapsht kundër interesit të përbashkët ku do të duhej me iu sigurua banorëve të Kosovës një jetë të dinjitetshme urbane që atyre iu mungon.
Planifikimi urban i qyteteve tona është trajtuar tërësisht gabimisht, vetëm në vendosjen mekanike të objekteve që i formojnë tërësitë urbane. Ai ngërthen, përfshin në vete një vistër çështjesh komplekse që duhet trajtuar,duke filluar nga vendosja adekuate e objekteve, hulumtimet dhe analizat e terrenit, kushtet atmosferike, barrierat e rrymave të ajrit, zhvillimi i komunikimit dhe komunikacionit, insolimit dhe akustikës urbane, ndotjes nga zhurma, sizmikes e një vargu kompleks çështjesh tjera që i kërkon jeta e dinjitetshme urbanë në ndonjë vendbanim.
Në Prishtinë është ndërtuar instiktivisht me leje e pa leje, pa i respektuar as rregullat, normat dhe standardet elementare të ndërtimit dhe urbanistikës. Dokumentet e pakta urbane kanë qenë në funksion të zhvatjes së mjeteve materiale të shumta, duke mos llogaritur kualitetin, kohën, realizmin dhe zbatimin e tyre në teren. Absurditeti ma i madh është zgjerimi i qytetit në anën perëndimore, aty ku janë duke funksionuar termo- elekranat “Kosova A B” dhe në të ardhmen “C”, si ndotësit ma të mëdhenj të ajrit në rrethinë dhe Prishtinë. Se kjo problematikë fare nuk ka qenë e rëndësishme, tregon fakti që tek në vitin 2013 janë miratuar dy dokumente të rëndësishme hapësinore dhe urbane, ishin jo realiste dhe u treguan të pa zbatueshme.
Prishtina është shembull klasik se si mundet të keqpërdoret territori i një qyteti në vitet e pas luftës, pasojat e të cilave veprime kanë filluar të shfaqen e do të na përcjellin edhe në të ardhmen, si është rasti aktual me ndotjen ekstreme të ajrit e cila tentohet ti referohet kushteve atmosferike, me qellim me e anashkaluar fajtorin kryesor të cilin duhet kërkuar në mesin tonë. Me veprimet tona vandalistë ndaj natyrës, e cila herëdo-kurdo do të na hakmerret, si në rastin konkret me ndotjen e ajrit,e në shumë raste tjera që do të na paraqiten në vazhdimësi në të ardhmen e afërme.
Shkaktarët e ndotjes së ajrit në Kosovë dhe Prishtinë që moti janë të identifikuara, janë të ndërlidhura në mënyrën e zhvillimit urban të qyteteve tona, në zhdukjen e gjelbërimit, menaxhimin e hapësirës komunale nga mbeturinat, pluhurit, ndotjes nga zhurma, mbeturinat e ndërtimeve, kontrolli i rrymosjes së ajrit etj. Janë disa shkaktar specifik të ndotjes së ajrit në Prishtinë si: afërsia e termo-elektranave, rrugët jo adekuate për automjete te shumta dhe të vjetra që qarkullojnë nëpër qytet, kontrolli i cilësisë së karburanteve, djegia enorm e madhe e qymyrit, naftës dhe druve në sezonin e dimrit për ngrohje etj.
Që ironia të jetë ma e madhe Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit, me rekomandimet e MMPH (Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor), ka miratuar planin e veprimit për përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend. Uroi që qeveria e jonë të ndërmerr veprime konkrete e të mos jetë kjo edhe një “hedhje hi syve” të popullatës, ashtu si ka ndodhur shumë herë përpara në raste të tilla.

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)