Mustafa kërkon që Demarkacioni të kryhet këtë vit

E publikuar: 21/12/2016 13:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosovarët e kanë edhe një mundësi që në këtë fundvit t’iu shtohet shpresa për lëvizje të lirë në Evropë. Megjithatë, kjo çështje vazhdon të mbetet e vështirë për t’u besuar se do të kalojë në kohë. Kushtëzimi i BE-së që Kosova të përfundojë punë me Malin e Zi rreth kufirit që ndan dy shtetet, po i largon çdo ditë e më shumë shpresat e kosovarëve për lëvizje të lirë në zonën Schengen, nisur nga qëndrimet mjaft të kundërta që kanë pozita dhe opozita kosovare rreth shënjimit të vijës kufitare mes dy shteteve.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, beson se ky vit do të përfundonte më së miri nëse arrihet që të kalohet kjo çështje në Kuvendin e Kosovës. Ratifikimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Malit të Zi mund të bëhet në një seancë të veçantë, vetëm nëse ekziston vullneti i deputetëve dhe qytetarëve, tha në një intervistë për KosovaPress, i pari i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa.

“Tash mund t’iu them se më së miri, zgjedhja më e mirë do të ishte që ne gjatë këtij viti, do të thotë deri në përfundim të vitit ta ratifikojmë marrëveshjen. Dhe unë do të bëj apel edhe përmes jush tek qytetarët dhe tek deputetët që ne të mblidhemi dhe ta përfundojmë para përfundimit të këtij viti, sepse kjo na mundëson që në fillim të vitit të ardhshëm menjëherë të futet në procedurë në Parlamentin Evropian dhe ne t’i përfundojmë këto përderisa nuk fillojnë proceset tjera në Bashkimin Evropian, sepse në momentin kur fillon proceset e zgjedhjeve në disa vendeve së paku në tre vendet të Bashkimit Evropian do të ketë zgjedhje vitin e ardhshëm, do të ketë në Holandë, në tre mujorin e parë, do të ketë pastaj në Francë dhe do të jetë në Gjermani. Kjo do të thotë që ne do ta kemi vështirë që karshi nevojave interne që ata të arsyetojnë politikat e tyre të migracionit, të hapjes para opin ionit ne pastaj të bëjmë hapa por që është më së se e qartë që do të jetë vështirë që këtë ta bëjmë më vonë”, tha kryeministri i Kosovës.

Isa Mustafa sqaron se është vetëm ky kriter i mbetur për t’u plotësuar nga pala kosovare, me çka u mundësohet qytetarëve të vendit që të lëvizin lirshëm në zonën Schengen. Kryeministri thotë se sa i përket çështjes së krimit të organizuar dhe korrupsionit, sinjalet nga BE tregojnë që në këtë proces Kosova ka përparuar dukshëm.

“ Përndryshe mund të them se ne bazë të informatave që i kemi edhe konstatimeve edhe prej përfaqësuesve të BE-së do të thotë neve realisht na ka mbetur vetëm ky kriter, vetëm kriteri i ratifikimit të marrëveshjes. Ndërkaq sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është konstatuar që ne kemi arrit disa suksese se duhet të punojmë më tutje por që ajo nuk do të merret si, nuk do të kërkohet themi një konstantë statike e cila duhet të plotësohet, por është çështja e vetme një trend, të cilën ne duhet ta vazhdojmë”, tha Mustafa.

Kryeministri i Kosovës për KosovaPress tha se duhet të gjendet vullneti i partive në pozitë dhe opozitë, përfshirë edhe shoqërinë civile dhe qytetarët, që të gjejnë zgjidhjen përfundimtare për çështjen e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Duke thënë se askush nuk duhet ta mendojë se Kosova mund t’i fal territor Malit të Zi në shkëmbim të vizave me Evropën, Isa Mustafa thotë se formimi i një komisioni të përbashkët të ekspertëve i cili do të maste territorin e Kosovës dhe të konstatoj të vërtetën përfundimtare, për çka edhe ekziston vullneti i palës malazeze për të përfunduar pa probleme këtë proces, do të ishte zgjidhja përfundimtare e gjithë këtij procesi.

“Tani unë mendoj që ne duhet të bëjmë përpjekje pra të gjithë bashkërisht të kemi një mirëkuptim edhe partitë e pozitës edhe të opozitës për të kapërcyer këtë çështje, por assesi që dikush të bindet se ne dëshirojmë ti falim territor Malit të Zi për shkak se po marrim viza, për këtë arsye unë edhe i kam lut ejani ta formojmë një komision të përbashkët të ekspertëve i cili do ta mat territorin e Kosovës dhe do të konstatoj se a kemi humb territor në këtë vijë kufitare që e kemi shënuar tani, a i ka Kosova 10 mijë e 906 apo 10 mijë e 887 kilometër katrorë ose 10 mijë e 908 sa i kemi edhe të dhënat qoftë libër, qoftë enciklopedi, qoftë në dokumentacion që kemi trashëguar, qoftë të dhëna statistikore, qoftë të dhëna gjeografike, në mënyrë që qytetarët ta dinë. Por, në qoftë se tentojmë të kemi më shumë se këto mandej është çështje tjetër dhe unë në këtë aspekt shoh arsye që pra pë ne ta thërrasim mendjen, ta thërrasim logjiken dhe interesin e qytetarëve, të ulemi, të vendosim sepse ky proces gjithmonë në bazë të Malit të Zi mbetet proces i gatishmërisë që pala Malazeze të ulet me neve në çdo moment që ne mund të kemi një dokument shtesë me të cilin kishim argumentuar se e kemi administruar më shumë territor që ne ta diskutojmë”, tha kryeministri i Kosovës.

Në intervistën e dhënë për KosovaPress, e cila do të publikohet në ditët festive të fundvitit, kryeministri i Kosova Isa Mustafa, ka folur edhe për çështjen e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës (FAK). Ngecja kryesore në këtë proces është votimi i saj në Kuvend, prej nga duhet të marri edhe votat e shumicës së deputetëve të komunitetit serb, të cilët deri tash nuk kanë shprehur vullnet për ta votuar ushtrinë e ardhshme të Kosovës. Pritja kaq e gjatë dhe mosbindja e deputetëve serb për votim të këtij transformimi, lë përshtypjen për ‘llastim’ të tepruar të deputetëve serb dhe mos këmbëngulje të udhëheqësve të vendit për shtyrjen përpara të këtij procesi, për të cilin kryeministri Mustafa thotë se kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të bindur serbët që ta votojnë ligjin për FAK-un.

“Tash unë nuk po ta shfrytëzoj këtë shprehje për hatër, por po vlerësoj që mirë po thua sepse nga njëherë lihet përshtypja në opinion kështu ne po i përkëdhelim serbët dhe tash për hatër të tyre, në të vërtetë nuk është për hatër të tyre por është për mungesë të vullnetit të tyre që ata të votojnë. Ky është problemi sepse ne duhet ti kemi dy të treten e votave në Kuvend që nënkupton se duhet të kemi 80 vota së paku. Sa i përket votave të shqiptarëve jam i bindur se në këtë aspekt nuk dallojnë fare dhe të gjithë deputetët shqiptarë do ta votojnë, nuk dyshoj fare mirëpo është problem që duhet të kemi edhe dy te tretën e votave të minoriteteve ose të deputetëve jo shumicë me u shprehë në mënyrë kushtetuese që nuk i kemi sepse duhet të kemi së paku 14 vota, do të thotë 11 në Kuvend prej të 20 janë të listës serbe. Prandaj në këtë aspekt ne kemi bërë përpjekje deri tani të bisedoj më me listën, të bisedojmë edhe me anëtarët e Qeverisë nga lista Serbe që janë në Qeveri në mënyrë që ti bindim që ata të votojnë, kemi pasur disa takime disa biseda ju kemi dhënë gati të gjitha materialet dhe ndryshimet kushtetuese të cilat duhet të bëhen sepse duhet të shkojnë ndryshimet kushtetuese ato i kërkojnë këto, po të mos ishin ndryshimet ne i kishim aprovuar si ligj në Kuvend sepse kemi vota të mjaftueshme. Edhe ligjin ju kemi prezantuar se si do të jetë ligji, por mund të konstatoj se nuk është fjala për vullnetin ose mos vullnetin e tyre, është fjala që qëndrimi i tyre në këtë aspekt akoma diktohet nga Serbia, nga Beogradi dhe pengohet. Problemi do të bëjmë përpjekje ti bindim, jo të punojmë për hatër të tyre por që ti bindim që ata të votojnë, përderisa mos ta votojnë ne nuk mund ta bëjmë transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur në mënyrë kushtetuese”, tha kryeministri Mustafa.

Në intervistën e zgjeruar me kryeministrin Mustafa, ndër të tjera është biseduar edhe për mjaftë çështje me rëndësi për qytetarët e vendit, siç janë tarifat e larta të faturave të energjisë elektrike, ajri i ndotur në kryeqytet, etj. Intervista do të publikohet në ditët e festive të vitit të ri. /Kosovapress/