Drejtori i Përgjithshëm i Policisë përgjatë një konference të organizuar e që ka të bëjë me ceremoninë e fundvitit 2016 ka theksuar se Policia e Kosovës për disa herë me radhë po vlerësohet si një ndër institucionet më kredibile.
“Më vjen mirë që edhe këtë vit po e mbajmë këtë primat. Është krenari të bësh një profesion kaq fisnik, detyra jonë ka sakrifica dhe rreziqe në vete. Zyrtarët çdo ditë sfidohen në teren dhe e dimë se sa e dhimbshme është kur një koleg humb jetën në teren”, ka thënë Maxhuni, shkruan Indeksonline.
Po ashtu Maxhuni është shprehur i bindur se nuk do të ndalojnë sepse sipas tij asgjë nuk e zbeh detyrën e Policisë.
“Këtë vit kemi shënuar shumë suksese të prekshme. Ne do të vazhdojmë të punojmë por jam i bindur që do të përballemi me sfida pa hezitim të cilat na bëjnë më të fortë dhe më të suksesshëm. Falënderoj kolegët dhe qytetarët pa të cilët misioni nuk do të arrihej. Uroj që 2917 të jetë vit i suksesshëm duke u uruar sukses, mbarësi dhe shëndet”, ka përfunduar Maxhuni./Indeksonline/