Kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri ka mohuar akuzat e PDK-së se muri i ndërtuar se fundmi në veri të vendit është bërë si rezultat i marrëveshjes mes tij dhe kryetarit të Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq.
Bahtiri ka thënë për ‘Indeksonline’, se të gjitha takimet qe i ka diskutuar për murin janë bërë në prezencë edhe të delegacionit të Kosovës.
“ju garantoj juve se institucionet e Kosovës nuk e kanë ditur për murin dhe nuk kemi pasur njohuri për këtë mur. E, aq më pak me negociu për këtë muri. Ky është turpi më i madh për PDK-në. PDK-në e ka kap panika”, ka thënë Bahtiri për ‘Indeksonline’.
Akuzat e PDK-së, sipas tij, vijnë pasi kjo parti siç thotë ai e ka kuptuar se ai është i pamposhtur.
“Unë kam qenë i angazhuar shumë për stabilizimin e situatës, sepse e kam gjetur një komunë në gjemba dhe më 36 barrikada. PDK i ka krijuar bashkë me strukturat paralele, sepse ata kanë përfituar me kontrabande”, ka shtuar Bahtiri.
Zyrtari i lartë i AKR-së ka thënë se muri do të hiqet. Ai i ka bërë thirrje institucioneve qendrore dhe të BE-së qe muri të hiqet në mënyre paqësore.
“Muret nuk pranohen as nga qytetarët serb dhe ai duhet të hiqet”, ka shtuar ai.
Muri i ndërtuar në veri të vendit ka nxitur reagime të mëdha. Përkundër zotimeve të institucioneve të Kosovës, se ai do të rrënohet një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Pala kosovare po insiston se muri nuk është pjesë e marrëveshjes se arritur në Bruksel për rivitalizimin e urës mbi lumin ‘Ibër’./Indeksonline/L.B/