Parlamenti miratoi nen për nen buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, por pika më kulminante e seancës maratonë ishte çarja e maxhorancës për koncesionin e laboratorëve.
Ministria e Shëndetësisë ka parashikuar që vitin e ardhshëm shërbimi laboratorik të jepet me koncesion tek një kompani private, por Petrit Vaisili paraqiti një amendament për të bllokuar financimin e këtij koncesioni nga buxheti i shtetit.
“Propozimi është që asnjë fond të mos lëvizë nga shëndetësia, por rialokimi të jetë brenda të njëjtit program në projekte të tjera dhe kur nisma të jetë e plotë e detajuar dhe me të gjitha elementet përkatëse që qartësojnë të gjitha llojet e pikave të paqarta, që ngjallin dhe debat të fortë publik, mund të vijë gjatë vitit ushtrimor”, tha Petrit Vasili.
Por ministri i financave Arben Ahmetaj tha se nuk ka fond të posaçëm në buxhet për koncesionin e laboratorëve, që sipas tij mbetet vetëm një projekt.
“Nuk ka zë apo program financiar në tabelat e buxhetit të shtetit që sot ligjërisht mund të shkojë për atë koncesion në potencë. Pra unë edhe sikur të bëhesha palë e amendamentit nuk do kisha ca të votoja një amendament për një gjë që s’ka ndodhur”, tha Ahmetaj
“Kjo nuk është ajo që thotë ministri. Sepse jo vetëm që është parashikuar, por edhe citohet nga vetë ministria e shëndetësisë dhe jo unë. Ministri e di shumë mirë e madje është parashikuar si investime”, shtoi Vasili.
Ilir Meta i dha fund debateve duke e hedhur propozimin e Vasilit në votim duke marrë 39 vota pro dhe 63 kundër, ndaj edhe nuk u miratua.
Bashkë me buxhetin parlamenti miratoi edhe paketën e re fiskale. Paketa vendos akcizë 8 lekë për litër mbi gazin e automjeteve, por qeveria pranoi të tërhiqet nga vendosja e akcizës edhe për naftën që përdoret në sektorin e peshkimit.
/ Top Channel