Beograd – BE do që Serbia të mbyllë Qendrën humanitare ruso-serbe në Nish, nëse dëshiron të bëhet anëtare, tha Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Brukseli për këtë Qendër, thotë ai, beson se është fole spiunazhi dhe një kërcënim për sigurinë.
“Dhe fakti se gjatë ekzistencës së saj janë pastruar nga minat më shumë se katër milionë metra katrorë dhe deminuar rreth 1,500 mina dhe pajisje të tjera shpërthyese, që Qendra ka ofruar ndihmë në shuarjen e zjarreve në Evropën Jugore, duke përfshirë edhe vendet e BE-së, për këtë ata heshtin”, tha Lavrov për Sputnik.
Ministri i jashtëm rus, i cili po viziton Beogradin, ka thënë se Brukseli do që Serbia të mbyllë Qendrën nëse don BE-në.
“Dhe në përgjithësi i kërkohet Serbisë që të sillet siç po sillet Shefi i Malit të Zi i cili thjesht ka shkelur detyrimet e tij, premtimet e tij, tradhëtoi Rusinë, ndonëse Rusia nuk i ka bërë asgjë të keqe”, tha Lavrov, duke shtuar:
“Nëse BE-ja dëshiron që në këtë mënyrë të fitojë miq, atëherë kjo do të thotë të bashkohesh kundër dikujt, edhe pse ne gjithmonë mendonim se duhet të bashkohesh me dikend. Ne e bëjmë këtë edhe me fqinjët tanë të Ballkanit”.
Ministri i jashtëm serb, Ivica Dacic, kishte deklaruar më heret se statusi i Qendrës humanitare serbo-ruse në Nish nuk ishte temë e bisedës me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, dhe tha se akuzat se kjo është qendër spiunazhi janë “budallallëqe”.
Ai në RTS ka thënë se kryeministri serb, Aleksandar, Vucic do të ketë kohë të mjaftueshme për të diskutuar me kryeministrin e Rusisë, Dmitri Medvedev, dhe njoftoi se me 21 dhjetor, Vucic me gjasëë do të jetë për vizitë në Moskë./Express/

















