Lideri i Bashkimit Demokratike për Integrim, Ali Ahmeti, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, të parën pas zgjedhjeve, ka thënë se BDI ka fituar 11 mandate dhe ka dalur partia e parë ndër shqiptarë, porse kjo nuk e ka kënaqur, sepse shqiptarët si tërësi kanë humbur shumë ulëse në Parlamentin e Maqedonisë, rreth nëntë sosh, njofton Klan Kosova.
“Bashkimi Demokratik për Integrim gjithmonë ka apeluar tek elektorati i vet dhe tek shqiptarët dhe ka kërkuar që shqiptarët të mos copëtohen, të mos partizohen nëpër parti të vogla, sepse do të jenë humbës. Gjithmonë i kemi thirrur të gjitha partitë e vogla të bëhen bashkë, që të mos humbin shqiptarët. Me hidhërim e them se shqiptarët kanë humbur mandate. BDI ka fituar zgjedhjet, por mua më ka interesuar që të fitojnë shqiptarët në radhë të parë dhe prandaj nuk më gëzon fitorja e BDI”, ka deklaruar Ahmeti.
Ahmeti ka njoftuar se BDI-ja ka fituar 11 mandate, sipas rezultateve të tyre, kurse të gjitha partitë tjera shqiptare 10.
Ahmeti ka thënë edhe se BDI do të vazhdojë me kursin e njëjtë politik, ndërsa ka thënë se për koalicion eventual ende ka kohë për t’i shqyrtuar opsionet.
“Ne do të mbesim të vendosur të mbrojmë doktrinën tonë që kemi paraqitur para shqiptarëve. Do punojmë që ky vend të shkojë drejt stabilitetit të plotë. BDI nuk ndryshon kursin e vet, por do të punojmë fort, që kursi ynë të jetësohet e materializohet”.
“Ne e kemi vendin në NATO dhe BE. Ne do të jemi gardianë të fort të mbrojtjes së marrëveshjes së Ohrit. Do punojmë për marrëdhënie të mira ndëretnike dhe që ky vend të ketë perspektivë ekonomike”.
Ahmeti është shprehur i habitur nga lajmi se ka shqiptarë që kanë votuar për partinë e Zoran Zaevit, LSDM-në.
Gjithsesi, në fund Ahmeti pohoi se “të gjithë duhet t’i gëzohemi faktit që këto zgjedhje janë zhvilluar pa eksese dhe probleme të theksuara”.
“Kjo do të thotë që vendi ynë shënon një progres dhe tregon pjekuri për të organizuar zgjedhjet të lira”.


















