Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ishte i ftuar në Asamblenë Kombëtare të Republikës së Francës, për të diskutuar me përfaqësues të Komisionit për Politikë të Jashtme dhe atij për Çështje Evropiane.
Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti foli për përparimin demokratik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Republikës së Kosovës, si dhe theksoi rolin e rëndësishëm të Francës për të ardhmen evropiane të vendit, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik.
Ndërkaq, shtoi se dialogu politik me Presidentin Macron ka hapur mundësi për thellim të partneritetit. Ai, po ashtu, përmendi pesë marrëveshjet dhe instrumentet e nënshkruara në korrik: dy për bashkëpunim juridik, një për mësimin e gjuhës frënge, kredinë në vlerë 60 milionë euro për investime infrastrukturore për Lojërat Mesdhetare dhe letrën e synimit për bashkëpunim për “Prishtina 2030”.
Teksa përmendi rreziqet nga akterët e jashtëm në Ballkanin Perëndimor, kryeministri Kurti tha se Franca gjithmonë ka qenë mbështetëse e zgjerimit si riunifikim i Evropës dhe shtoi se Kosova ka bërë zgjidhjen e saj strategjike, dhe tani kërkon një proces anëtarësimi të bazuar në merita.
“Aplikimi ynë për anëtarësim në BE po pret hapin e radhës që nga dhjetori i vitit 2022. Kërkojmë statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave. Besojmë se kjo do t’i kontribuojë më tej paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe do të përforcojë institucionet tona demokratike dhe do të rrisë prosperitetin për popullin tonë”, tha ai.
Kryeministri Kurti theksoi se Republika e Kosovës është e gatshme të pranojë pyetësorin dhe të lëvizë përpara, ndërsa kërkoi ndihmën e Francës në sigurimin e vendimit nga Këshilli Evropian.
Përgjatë diskutimit, kryeministri Kurti foli për një mori temash, përfshirë stabilitetin institucional dhe zhvillimet politike në rajon.































