Afaristi gjilanas, Selver Xhelili, ka njoftuar se ka përfunduar me sukses procesin e marrjes së certifikatës së pronësisë për hotelin më të madh në Ksamil, me vlerë të përafërt prej 6 milionë eurosh.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Xhelili ka bërë të ditur se ky proces ka zgjatur plot 18 muaj, duke e cilësuar si një nga kapitujt më të vështirë, por edhe si realizimin e një ëndrre të kahershme.
Ai ka shprehur mirënjohje ndaj Zotit dhe familjes së tij, të cilët, sipas tij, i qëndruan pranë gjatë gjithë këtij rrugëtimi.
“Ka qenë një mision i imi i kahershëm që të jem pronar i këtij hoteli dhe sot, falë Zotit të Madhërishëm, kjo ëndërr u bë realitet”, ka shkruar Xhelili.
Ky sukses shënon një tjetër investim të rëndësishëm të afaristit nga Gjilani në sektorin e turizmit në bregdetin shqiptar.
































