Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar lidhur me ambiciet e disa figurave të PDK-së për të marrë drejtimin e partisë, duke vënë në pikëpyetje gatishmërinë dhe aftësitë e tyre për të përballuar sfidat politike dhe shtetërore.
Përmes një postimi, Lladrovci ka theksuar se udhëheqja e PDK-së kërkon guxim, përgjegjësi dhe vizion për të përballuar çështje të rëndësishme për Kosovën, si partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dialogu strategjik, agjenda evropiane dhe procesi integrues.
Ai ka përmendur gjithashtu zhvillimin ekonomik, përmirësimin e arsimit, ndaljen e shpërnguljes së të rinjve, mbrojtjen e natyrës dhe sundimin e ligjit si sfida që kërkojnë aftësi dhe përkushtim.
Lladrovci ka kritikuar numrin e pretendentëve që deri më tani kanë shprehur interesim për postin e kryetarit të PDK-së, duke u bërë thirrje që të mos e paraqesin kandidimin si sakrificë për partinë.
“Mos u sakrifikoni. Leni procesin normal të zgjedhjeve të brendshme të zhvillohet si duhet, pa përdorur bërrylat dhe duke keqpërdorur vullnetin e simpatizantëve”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka kërkuar që në procesin zgjedhor të mbizotërojnë programi dhe aftësia për ta riafirmuar PDK-në si një forcë politike me rol të rëndësishëm në shtetndërtimin e Kosovës.
Në fund, Lladrovci ka vlerësuar se shumë prej atyre që synojnë drejtimin e partisë i kanë arritur tashmë qëllimet e tyre jetësore falë mbështetjes së anëtarësisë së PDK-së, ndërsa ka kritikuar largimin e njerëzve të suksesshëm nga vendimmarrja në parti.
“Ka vite që të suksesshmit largohen nga vendimmarrja, andaj, atyre ju ka mbetur të sprovohen edhe aty ku do të duhej të jenë të fundit që do të sprovoheshin, kryetar a kryetare me dry në xhep”, ka përfunduar Lladrovci.
































