Nga Holta Heba
Fjala, mjeti që ka ndihmuar dhe ndihmon njeriun të zhvillohet. Për sa i përket rëndësisë së kuptimit që ajo mbart, mjafton të përmendim shprehjen: “Fjala kocka s’ka dhe kocka thyhen”. Fjala bëhet pjesë simbolike e formimit të njeriut, por dhe gjen kuptimin e duhur në varësi të kontekstit në të cilin ndodhemi. Një fjalë e vetme e artikuluar në disa sekonda mund të shprehë ndjenjat, prejardhjen dhe formimin e një individi që janë mbrujtur për vite me radhë.
Mjafton një intonacion më i fortë apo më i butë, mjafton një situatë e nderë apo e vrullshme, mjafton një gjendje emocionale e rënduar apo e lehtësuar, dhe fjala “Të dua” merr kuptim të tjetërsuar në momente dhe vende të ndryshme. Nuk është e njëjta gjë kur jemi mes miqsh dhe mikeshës së zemrës, e cila sapo të ka dhuruar një dhuratë, i thua “të dua”. Nuk është e njëjta gjë kur përkëdhel fëmijën dhe i thua çdo sekondë “të dua”. Po ashtu nuk është e njëjta gjë kur i thua njeriut të zemrës “të dua”… Sa shumë kuptime ka një fjalë! Dikush e ka shumë të thjeshtë të shprehë ndjenjën e dashurisë, ndërsa të tjerë hasin vështirësi ta shkruajnë apo shqiptojnë. Dikush i jep fjalës rëndësinë e duhur dhe dikush e përdor ashtu kot sa për të kaluar radhën. Jo më kot të gjithë e dimë se ka të dashur e të dashur si dhe jo të gjithë dinë të duan dhe duhen njësoj.
Në kuptimin që duam t’i japim fjalës, një rëndësi të madhe zë dhe vetë bashkëbiseduesi që kemi përballë. Nuk është e njëjta gjë kur i themi “mirëmëngjes’ koleges së punës që duam dhe gëzojmë respekt, me mirëmëngjesin që i japim koleges që nuk e durojmë dot, por jemi të detyruar ta përshëndesim, pasi nuk kemi zgjidhje tjetër.
Dashuria në kultura të ndryshme shprehet në forma të ndryshme, ndaj ne kemi arritur në përkufizime se dikë ose diçka e do sipas mënyrës individuale. Në zhargonin e përditshëm popullor shpesh dëgjojmë se dëshira e madhe për të pasur dikë pranë shprehet me foljen “ha”. Për shembull, kur dikush për të treguar sa shumë e do të dashurën përdor shprehjen “të hëngsha zemrën”. Kur dikush do të tregojë se sa shumë i pëlqejnë sytë e vajzës përdor shprehjen “të hëngsha syrin”. Kaq e madhe është kjo dëshira dhe dashuria sa që kalon në uri. Po të mendojmë se sa e lebetitshme është për të huajin e një kulture tjetër, i cili kur e dëgjon për herë të parë mendon se vuajmë nga pangrënia dhe prandaj e përdorim këtë shprehje në zhargon ose kemi prirje kanibalësh. Vetëm ideja se organet e trupit bëhen të ngrënshme, për të treguar dashurinë dhe dëshirën për dikë, bëhet e pakuptimtë për një të huaj të kulturës tjetër.
Sikurse momenti kur krahasojmë diçka të bukur me lloje frutash. Në folklorin e shqipes, ekzistojnë shumë këngë, ku buzët e vajzës janë si qershi, syri si ulli, faqekuq si mollë etj.
Siç është dashuria e nënës për fëmijën në zhargonin popullor mund të shkaktojë keqkuptime te një i huaj. Shprehja “ vdektë nëna sa i zgjuar që je”. Në përkthimin fjalë për fjalë të kësaj shprehje, i huaji do të habitej për vetë faktin se nëna s’ka pse të vdesë nëse ka një fëmijë të zgjuar. Largqoftë nëse do të ndodhte një gjë e tillë, madje lum si nëna që ka një të zgjuar në shtëpi.
Kuptimi i fjalës së shoqëruar edhe me veprime bëhet edhe më i perceptueshëm për individin që kërkon të kuptojë atë që vërtet kemi ndërmend të shprehim. Gjithsesi, kjo është një mënyrë e të shprehurit të dashurisë dhe dëshirës në kulturën tonë dhe jo rrallëherë e ndeshim në të folurën e përditshme. Fjalës i japim kuptimin dhe intonacionin që duam në varësi të asaj që jemi dhe asaj që dëshirojmë të shprehim.
*Pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës.