Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ngritur shqetësimin për rrezikimin e organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke akuzuar Qeverinë e Kosovës se nuk po i përmbush obligimet që dalin nga marrëveshjet dhe vendimet e miratuara.
Përmes një postimi, Rama i ka bërë thirrje publike kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë që t’u përmbahen marrëveshjeve, duke paralajmëruar se organizimi i këtij eventi mund të vihet në rrezik.
Ai ka bërë të ditur se, sipas tij, Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG), në një letër të datës 15 tetor, ka paralajmëruar se qasja e Qeverisë së Kosovës po rrezikon mbajtjen e lojërave.
“Në letrën e datës 15 tetor, ICMG-ja ka paralajmëruar qartë se qasja e Qeverisë së Kosovës po rrezikon mbajtjen e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, ka shkruar Rama.
Ai ka thënë se edhe në takimin e javës së kaluar të Komitetit Organizativ ka përsëritur qëndrimin se përgatitjet duhet të bëhen në koordinim të plotë me ICMG-në, duke shfrytëzuar përvojën dhe ekspertizën e këtij institucioni.
“Përgatitja dhe organizimi i Lojërave duhet të zhvillohen në koordinim të plotë me ICMG-në, duke shfrytëzuar përvojën dhe ekspertizën e saj dhe duke zbatuar marrëveshjet dhe vendimet e miratuara deri më tani!”, ka theksuar ai.
Rama ka pohuar se Komuna e Prishtinës i ka përmbushur obligimet e saj, ndërsa ka kërkuar që edhe Qeveria t’i përmbushë përgjegjësitë që i takojnë.
“Si Kryeqytet, i kemi përmbushur obligimet tona. Vazhdimisht kemi kërkuar që edhe Qeveria t’i përmbushë të vetat dhe ta marrë seriozisht paralajmërimin e ICMG-së”, ka deklaruar Rama.
Ai ka paralajmëruar se rreziku për humbjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare është serioz, duke i kërkuar Kurtit zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara.
“Po e ngre publikisht alarmin: rreziku që t’i humbim Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 është serioz. Kryeministër, zbatoni atë për të cilën jeni dakorduar, keni nënshkruar dhe jeni obliguar. Koha po kalon dhe përgjegjësia nuk mund të mbulohet me fjalime militantësh pastaj! Mos ia humbni qytetarëve të Kosovës këtë mundësi historike!”, ka shkruar Rama.
































