Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka publikuar arsyetimin e vendimit për suspendimin e zëvendëskryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Arlinda Nallbani-Gacaferri, e cila njëkohësisht ushtronte detyrën e koordinatores për dhunën në familje.
Sipas vendimit, prokurorja ishte në dijeni se më 22 tetor 2026 ishte shkelur urdhri mbrojtës ndaj Arlinda Zekajt dhe se në shtëpinë e saj po qëndronin persona të tjerë, përfshirë Albert Sylajn, i dyshuar për vrasjen e saj.
KPK-ja thekson se Policia e kishte njoftuar prokuroren për rastin, ndërsa gjatë intervistimit Arlinda Zekaj kishte deklaruar se Albert Sylaj e kishte kërcënuar me fjalët: “Largomu, largomu se të mys”.
Megjithatë, sipas vendimit, Nallbani-Gacaferri kishte udhëzuar që Sylaj të intervistohej në cilësinë e dëshmitarit, duke mos e trajtuar kërcënimin e drejtpërdrejtë si rrethanë që kërkonte vlerësim të rrezikshmërisë ndaj viktimës.
KPK-ja vlerëson se prokurorja, pavarësisht se ishte e informuar për kërkesat urgjente të Arlinda Zekajt dhe rrezikun që i kanosej, nuk kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme prokuroriale për mbrojtjen e saj.
Në arsyetimin e vendimit thuhet gjithashtu se ajo nuk kishte marrë parasysh provat dhe faktet gjatë trajtimit të rastit dhe se kishte shkelur detyrimet për profesionalizëm dhe përgjegjshmëri.
Ndryshe, më 29 tetor KPK-ja vendosi të suspendojë edhe kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj. Në të njëjtën ditë u suspenduan edhe 11 zyrtarë policorë të hierarkisë komanduese në Pejë.
Ndërsa më 30 tetor, kryeministri Albin Kurti pranoi dorëheqjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha.
Këto zhvillime pasuan vrasjen e 49-vjeçares Arlinda Zekaj në Vitomiricë të Pejës, më 25 tetor.
Gjykata Speciale ka shkelë të drejtat e njeriut në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, thotë Avokati i Popullit
Read more
































