“Unë nuk kam çka të flas më për këtë çështje. Qëndroj prapa atyre gjërave dhe akuzave që i kam bërë. Nuk e konsideroj veten të barabartë të flas kundër Lladrovcit, përderisa ai nuk dëshiron të debatojë. Unë do të flas për këtë çështje, vetëm nëse më fton prokurori. Përndryshe, këtë çështje e konsideroj të mbyllur”, ka thënë Xhavit Drenori.
Me 4 dhjetor 2016, u mbajtën zgjedhjet Komunale në Komunën e Drenasit. Këtij procesi zgjedhor i paraprinë akuzat dhe kundërakuzat nga taboret e ndryshme politike. Ndonëse në garë ishin tetë kandidatë nga subjektet politike, ‘lufta’ më e ashpër u zhvillua në mes të kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramiz Lladrovci dhe asambleistit të Kuvendit Komunal nga PDK-ja, kandidatit të pavarur, Xhavit Drenori.
Ky i fundit, përmes rrjeteve sociale, pati hedhur një varg akuzash ndaj ish-ambasadorit të dorëhequr të Kosovës në Shqipëri, Lladrovci. Drenori pati thënë se Lladrovci ka keqpërdorur paratë e mbledhura për fondet e luftës, duke theksuar se thasët me para ishin transportuar me një kamionetë të portokalltë pas luftës. Sipas Drenorit, për disa thasë tashmë është dëshmuar se ku i ka lënë Lladrovci. Si investim të parë me këto para, Drenori kishte përmendur shtëpinë/pallatin e Lladrovcit në fshatin e tij Gllanasellë.
Një thes tjetër, sipas tij, Lladrovci e kishte harxhuar duke bërë investime në toka të privatizuara, 14 hektarë në Zabel të Poshtëm / Krajkovë nga F.Sh. (me çmim 125 euro për ari); 10 hektarë në Komoran nga N.M. (me çmim 130 euro për ari); 6 hektarë në Gllobar nga Xh.G.; disa ari në Prishtinë; disa banesa në Prishtinë, etj./botasot/