Avokati Skender Musa ka thënë se në procesin e zgjedhjes së presidentes së Kosovës nuk ka pasur shkelje kushtetuese, pasi sipas tij votimi ka përfunduar brenda afatit, ndërsa numërimi i votave mund të bëhej edhe pas përfundimit të tij.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Musa ka thënë se votimi ka përfunduar në orën 00:03, ndërsa sipas tij afati kushtetues lidhet me procesin e votimit dhe jo me numërimin e votave.
“Ndërkaq zgjedhja e presidentit nuk ka pasur shkelje kushtetuese sipas mendimit tim, për shkak se deri në 00:03 minuta janë votuar, janë kryer votimet. Pastaj numërimi nuk paraqet afat kushtetues. Numërimi ka mundur të bëhet edhe më vonë”, ka thënë ai.
Megjithatë, Musa ka kritikuar mënyrën se si është krijuar kriza institucionale, duke e cilësuar si joseriozitet nga partia që ka fituar shumicën dhe konkretisht nga kryeministri.
“Sa i përket krizave që janë shkaktuar, e kam pasur një joseriozitet nga partia që ka fituar shumicën dhe konkretisht nga kryeministri”, ka deklaruar Musa.
Sipas tij, zgjedhja e presidentes është e rëndësishme për shkak se institucionet kanë qenë të bllokuara dhe vendi ka pasur nevojë për stabilitet.
“Natyrisht është mirë, sepse institucionet kanë qenë të bllokuara, vendi ka pasur nevojë për stabilitet edhe është një person që besoj mundet të dalë përmbi partitë politike dhe të jetë në shërbim të qytetarëve, dhe jo person i zgjedhur nga partia që tash e ka qeverinë apo ndonjë parti tjetër në rrethin e ngushtë të saj”, është shprehur Musa.
Duke folur për presidenten e re, Justina Shiroka-Pulën, Musa ka thënë se edhe pse ajo ka qenë pjesë e strukturave të PDK-së, përfshirë pozitën e ministres dhe deputetes, në funksionin e saj të ri mund të jetë mbi partitë politike.
“Është e vërtetë që ka qenë në strukturat e Partisë Demokratike, deputete, ministre, mirëpo si Kryetare e Akademisë së Shkencave dhe si personalitet, kjo mund të jetë mbi partitë politike dhe t’i përfaqësojë interesat e qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Skender Musa.
































