Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se qëndrimi i kësaj partie mbetet i pandryshuar dhe se fillimisht duhet të miratohet ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, në të gjitha nivelet dhe në të dy leximet, para se të nisin bisedimet për çështjen e presidentit, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se PDK-ja është e hapur për diskutime për presidentin dhe shtoi se vendit i nevojitet stabilitet politik.
“Qëndrimi i PDK-së është konsistent. Fillimisht duhet të aprovohet ligji, dhe po e ritheksoj, të aprovohet në të gjitha nivelet dhe në të dy leximet. Pastaj, ne jemi të hapur të bisedojmë për çështjen e presidentit.
Vendi duhet të ketë stabilitet politik. Ne t’i kryejmë punët tona si deputetë, ndërsa qeveria t’i kryejë detyrat e saj.
Kemi të bëjmë me një çështje që e tejkalon çdo parti dhe çdo qeveri”, ka deklaruar Hamza.
Hamza ka bërë të ditur se në orën 16:30 do të ketë takim me kryeministrin Albin Kurti.




























