Të shtoj edhe një të zezë që i bëhet Kosovës me marrëveshjen për kodin: për herë të parë Serbisë i njihet autoriteti mbi sektorin e telekomunikacionit në Kosovë “Kosovo*”. Me nënshkrimin e autoriteteve tona dora vetë.
Nga Ismet Hamiti
Nuk është e vërtetë që Republikës së Kosovës i është ndarë “kodi shtetëror” i telefonisë. Për ta marrë kodin e vet, Kosova duhet të aplikojë në ITU , siç e përcakton kushtetuta e ITU dhe ashtu siç vepron çdo shtet i këtij planeti, gjë që autoritetet kompetente të Kosovës asnjëherë nuk kanë bërë.
Në vend të kësaj ato kanë zgjedhur të bëjnë akrobacione përmes BE-së, Austrisë e dreqit të mallkuar, për të fshehur pajtimin e tyre që telekomi serb të zgjerohet në Kosovë dhe që telekomi i Kosovës të bëhet pjesë e sistemit te telekomunikacionit serb.
Le te dihet, pronar i kodit që po trumbetohet është Serbia, kodi është gjeografik, Serbia ia jep për administrim “krahinës së vet jugore” Kosovës, si rajon gjeografik. Fakti se në ITU regjistrohet autoriteti rregullator i Kosovës si administrator i kodit nuk e ndryshon këtë të vërtetë. Në të vërtetë kjo shërben
vetëm për të gënjyer publikun e Kosovës se gjoja ITU ia ndau Kosovës kodin shtetëror. Jo pra, le të dihet, pronar i kodit është Serbia me të gjitha të drejtat që i takojnë për përdorimin e tij. Prandaj regjistrimi në ITU i ARKEP si administrator i kodit bëhet me pëlqimin e Serbisë, por ajo, si pronare që është, në të
ardhmen mund të regjistrojë në ITU kë të dojë si administrator të këtij kodi. Bie fjala, nesër mund të regjistrojë në ITU si administrues të kodit “Asociacionin e Komunave Serbe”. Dhe nuk është fare, fare, fare larg mëndsh që kjo të bëhet në një të afërm jo të largët. Dhe Kosova nuk do të ketë asnjë mundësi
për ta penguar. Me një fjalë, Serbisë i është dhënë një mjet i fuqishëm për të shantazhuar Kosovën në çdo kohë që t’i duhet sepse ndërrimi i kodit telefonik është punë e kushtueshme dhe aspak e lehtë.
Si shpërblim për këtë “nder” që po ia bëka Serbia Kosovës, pra që të regjistrojë në ITU të ARKEP si administrues të kodit të saj, lejohet operatorit shtetëror serb të zgjerohet në Kosovë, operatori shtetëror serb të ndërlidhet me operatorët në Kosovë me numeracion lokal, dhe tarifat ndërlidhëse me operatorin shtetëror serb t’i caktojë Serbia. Shkurt, autoritetet tona janë pajtuar ta kthejnë Serbinë në telekomunikacionin e Kosovës në mënyrën më domethënëse.
Të shtoj edhe një të zezë që i bëhet Kosovës me marrëveshjen për kodin: për herë të parë Serbisë i njihet autoriteti mbi sektorin e telekomunikacionit në Kosovë “Kosovo*”. Me nënshkrimin e autoriteteve tona dora vetë.
Qytetarët e Kosovës duhet ta dinë se “marrëveshja për kodin” është një mashtrim i madh, thellësisht në dëm të interesit publik dhe krejtësisht në shërbim të interesave të Serbisë.
(Autori është profesionist i telekomunikacionit)