Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka ftuar qytetarët të jenë pjesë e protestës, kundër aktgjykimit të Hagës që do të mbahet të premtën, në Drenas, në ora 17:30.
Ftesa e tij në rrjetin social:
Qytetarë të nderuar,
Me ftesë të Organizatave të dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nesër (e premte, 25 shtator 2026), në ora 17:30, organizohet protestë kundër aktgjykimit të padrejtë të Gjykatës Speciale.
Ju ftoj të bashkoheni në protestë, për të përkrahur heronjtë tanë të luftës dhe paqes që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Përkrahja jonë shprehet me dinjitet, qetësi dhe në mënyrë demokratike.
Qytetarët e Drenasit e kuptojnë mirë dredhinë për ta gjykuar historinë e lavdishme të UÇK-së, krerët e saj dhe Republikën e Kosovës, por, këtë nuk do ta lejojmë.
Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, e pastër dhe në pajtim me normat ndërkombëtare. Përball gjenocidit shekullor serb, kemi vepruar për çlirimin e Kosovës, në këtë luftë të drejtë por të pabarabartë, patëm përkrahjen e botës demokratike.
Republika e Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën dhe vuajtjet shekullore të qytetarëve tanë, ajo është rritur e zhvilluar me aleatët tanë dhe askush nuk ka mundësi as ta shkruaj e as ta rishkruaj historinë tonë.
Ejani, bashkë në Sheshin “Fehmi e Xhevë Lladrovci”, në përkrahje të heronjve tanë të luftës dhe paqes!



























