Nga Ardian Ndreca
Dekorimi nga ana e presidentit të republikës i 67 pjesëtarëve të Ballit Kombëtar në vitin 1943 në një fshat të Lushnjës rindezi debatet e kahershme mbi luftën partizane, forcat nacionaliste, luftën civile, kolaboracionistët etj., debat që ka 25 vjet që përtërihet vazhdimisht. Në kuadër të këtij debati gazeta sjell një artikull të studiuesit Ardian Ndreca, i cili shkruan se çështja e kolaboracionit është mjaft e ndërlikuar sepse në Shqipëri gjatë luftës kanë hyrë katër ushtritë e huaja: ajo italiane, greke, gjermane dhe jugosllave. Për të paktën tre ushtri të huaja partizanët apo komunistët nuk kanë reaguar në momentin që ato kanë hyrë, duke qenë kështu kolaboracioniste.
Ka disa javë që në mediat tona asht shfaqë rishtas tema e kolaboracionizmit. E nisi N. Jorgaqi me disa gjykime klishe të kohës së komunizmit, tue marrë shkak prej nji letre të Át Gjergj Fishtës drejtue nji oficeri italian. Ky i fundit nuk jepej me emën, pra ishte e pamundun me verifikue nëse bahej fjalë për nji fashist apo për nji ushtarak karriere apo rezerve. Vetë letra, simbas stilit ma të mirë të shkollës së cilës i përket N. Jorgaqi, nuk ofrohej në origjinal e mbi të gjitha çështja në tansi ishte jashtë kontekstit historik dhe gjykimi i shpejtuem të kujtonte gjyqet partizane pa të drejtë apeli.
Asnji prej atyne që iu shpërvolën N. Jorgaqit nuk u morën me nji burim që ky i fundit thirrte në ndihmë për me përforcue gjykimet e tija, bahet fjalë për librin e N. Ukgjinit me titull “Kisha katolike në trevat shqiptare. Nga shekulli XI deri sot”. Nga ana tjetër un s’mund ta përfytyroj N. Jorgaqin tue shkrue ndryshe nga sa ka shkrue gjithë jetën, të paktën ai asht koherent me vetveten. Nuk kanë koherencë ata që bombardojnë azilin e pleqve por harrojnë për oportunizëm me i thanë dy fjalë për N. Ukgjinin, me librin e të cilit Jorgaqi mëtonte me mbathë pelën me krande. Simbas N. Ukgjinit të cituem në shkrimin e Jorgaqit: “Kisha Katolike, e kushtëzuar edhe nga nevojat e mëdha financiare, përkrahu si partner të mundshëm Italinë fashiste” (Ibid., f. 242).
N.Ukgjini duhej të na kishte tregue shumat që paska marrë kleri katolik dhe njikohsisht edhe shërbimet e pandehuna që paska ba në favor të fashizmit dhe mbi të gjitha në dam të çështjes sonë kombëtare! Çudi se si nji prift si N. Ukgjini nuk e din se Kisha nuk ka partnerë politikë, madje çdo tentative për përftimin e nji teologjie politike siç asht pohue me autoritet prej Erik Peterson e nji shkolle të tanë filozofësh, asht i pabazë dhe shpërban kumtin e besimit të krishtenë.
Që Kisha katolike ka mbijetue gjatë fashizmit por nuk asht kthye në partnere të asaj ideologjie e tregon qëndrimi i saj doktrinal dhe me pak përjashtime distanca prej hovit të asaj ideologjie. E themi këtë gja tue e dijtë se në ato pak vite jo vetëm nuk u ndërtue asnji kishë e re, por nuk u restaurue asnji sish, nuk u hap asnji shkollë e re në pronë të Kishës katolike, nuk u ble asnji tipografi e re. Për hir të së vërtetës ndonji vepër kulti, jo katolik, u përurue në ato vite të pushtimit fashist, por askush nuk mund ta akuzojë bashkësinë fetare përkatëse për tradhti ndaj atdheut. Në fund të fundit në qoftë se gjatë pushtimit bashkësitë fetare subvencionoheshin apo trupa mësimore e shkollave laike shqiptare merrte ndonji rrogë shtesë si shpërblim, këtu nuk ka asgja të keqe, pse pushtuesi ato të holla i vilte prej pasunive të vendit tonë. Në qoftë se dikush mund të provojë se kleri apo trupa mësimore që mbështetej apo shpërblehej nga regjimi i kohës vepronte kundër interesave të kombit, atëherë kjo gja përban tradhti. Por kemi pa se si gjyqet partizane të kinema “Kosovës” edhe mbas zhvendosjes së tyne në defteret e N. Jorgaqit janë tregue të paafta për me i shërbye të vërtetës historike.
Në këto dekadat e fundit kemi pa mjaft diletantë tue u marrë me histori pa pasë metodë shkencore e pa kulturën e nevojshme historike, këta janë tregue të zotët me konfeksionue libra tue rreshtue kajherë materiale arkivore që s’kanë dijtë as me i lexue, njerëz disi të alfabetizuem që i kanë dalë zot historisë si magjypi dinit. Ky nuk duhet të jetë rasti i dom Nikë Ukgjinit, por sigurisht edhe ky i fundit do t’i kishte ba nji shërbim të jashtëzakonshëm historisë mos me pasë humbë rastin fatlum me heshtë. Përpos të tjerave N. Ukgjini citon në atë libër materiale arkivore që janë ende subjekte embargoje dhe për të cilat arkivat ruejtëse nuk kanë dhanë deri më sot lejen për botim. Kjo përban nji mungesë deontologjije profesionale, do të kisha thanë, në qoftë se shkrimi i historisë për të do të ishte profesion.
Mandej nji histori të Kishës katolike prej shek. XI deri në ditët tona s’kanë pasë guxim me e shkrue M. Šufflay apo Z. Valentini, prandaj edhe pak modesti, sidomos aty ku asht ma se e nevojshme, s’do t’i kishte ba keq autorit në fjalë.
Çështja e kolaboracionizmit asht shumë komplekse, pse pozicionimi i forcave politike dhe i vetë shqiptarëve prej prillit 1939 deri në fundin e vitit 1944 ndaj ushtrive të hueja që kanë shkelë territorin tonë ka qenë shpeshherë i paqartë.
Gjatë Luftës së Dytë Botnore territorin tonë e kanë shkelë katër ushtri të huaja: italiane, jugosllave, greke dhe gjermane.
Për sa i përket tri të parave në momentin e pushtimit nuk ka pasë asnji reagim të forcave politike komuniste.
Ah, sikur nji komunist i vetëm të ishte vra më 7 prill 1939! Si do të ishte krekosë N. Jorgaqi me shokë. Por, jo, asnji sish nuk u gjet atë mëngjes në bregdetin tonë prej Shëngjinit në Sarandë. Në numrin e sapodalun të revistës “Shejzat” (nr. 3-4, 2016) kam botue ditarin e zbarkimit të kolonës së katërt italiane. Asnji grup rezistence me datën 7 prill 1939 nuk kishte nji komunist të vetëm. Oficerët, nënoficerët, ushtarët dhe të tjerët që luftuen ato ditë kanë mbetë të panjohun për historiografinë komuniste, e cila mitizoi do tjerë, heroizmi i të cilëve konsistonte ndonjiherë në faktin se kishin qenë në momentin e gabuem në vendin e gabuem.
Madje përpara 22 qershorit 1941 nuk ka pasë asnji veprim të thjeshtë të koordinuem të grupeve komuniste kundër nazi-fashizmit. Arsyeja duhet kërkue te direktivat e Kominternit, mbasi Stalini kishte firmosë nji pakt sekret me Hitlerin dhe donte prej atij momenti që komunistët anekand botës mos ta sulmonin nazi-fashizmin. Njihen qëndrimet e ashpra që mbajtën komunistët patriotë francezë ndaj heshtjes së turpshme të Stalinit ndaj pushtimit nazist të Francës.
Pra, kryekolaboracionisti vetë ishte “Baba Stalua” siç e thërrisnin turmat laramane para dhe mbas vitit 1944.
E dyta: kemi kolaboracionizëm aktiv dhe pasiv. Nuk ka asnji dokument të komunistëve shqiptarë që kundërshton pushtimin e trojeve tona prej trupave greke në periudhën kohore 1940-1941. Nuk ka asnji reagim të komunistëve shqiptarë ndaj hymjes së trupave jugosllave në territorin shqiptar në prill të vitit 1941. Kundër regjimenteve jugosllave të vetmit që rrokën armët ishin patriotët nacionalistë të Dibrës, Malsisë së Madhe, Dukagjinit dhe Mirditës. Komunistët asokohe shisnin cigare në Kafe “Flora” ose luenin kumar në Kafe “Kursaal”.
Vetëm dy vjet e gjysmë mbas pushtimit italian të vendit komunistët shqiptarë mundën me shprehë politikisht nji nismë dhe platformë konkrete me formimin e PKSH-së, edhe kjo u realizue falë druzheve që na vinin nga Jugosllavia, gja që kushtëzoi qëndrimin tejet negativ të komunistëve shqiptarë ndaj çështjes kosovare përgjatë dhe mbas luftës.
Sa për Fishtën ai nuk ka qenë asnjiherë fashist. Fashizmi asht nji socializëm i ufulluem dhe Fishtën s’e ka lidhë kurrgja me atë lloj ideologjie. Akademia e Romës edhe pse në momentin që poeti ynë u ba anëtar i saji, kishte plot 17 vjet që përjetonte dramën e fashizmit, nuk ishte nji akademi fashiste, për ketë gja mjafton të shohim spesorin akademik të shumë figurave që bashkonte ai institucion.
Sa për qëndrimin e klerit katolik, nji gjykim si ai i Jorgaqit, me gjithë patericat shkencore që i ofron libri i Ukgjinit, nuk asht i plotë dhe aq ma pak objektiv. Kleri katolik në Shqipni ka jetue përkrah klerit sunit, ortodoks dhe bektashi, duhet pa se si kanë reague të gjitha këto klere që siç dihet nuk komandonin divizione por udhëhiqnin disi ndërgjegjet e njerëzve. Pra, duhen njohtë mjetet në dispozicion dhe mundësitë e tyne reale me reague. Mund të themi për shembull se françeskanët pranuen me mbyllë shkollat e veta për mos me shti edukatën fashiste në to.
Nuk mjaftoi kjo tymçe e N. Jorgaqit, por presidenti i vendit B. Nishani, i cili tashma rrokjet e tija teke i ka kthye në dekorata, dekoroi 67 ballista të pushkatuem prej M. Shehut gjatë luftës. E keqja ma e madhe asht se ky president nuk ka tagër moral me nderue askënd, pse ai vetë asht emblema e çnderimit të institucionit ku e kanë komandue. Ballistët e shkretë njiherë qenë viktima të M. Shehut, së dyti u gjymtuen për përdorim para-elektoral prej Nishanit.
Problemi s’asht Nishani e as nishanxhijtë e tij, pse aktorët e nji farse që luejnë libretin e tjetërkujt janë figura kote; ajo çka ban përshtypje asht zgjimi i retorikës komuniste që vuloste ballistët si pulaxhinj dhe grabitës.
S’kemi mjerisht nji histori të dokumentueme të Ballit Kombtar. Nuk na ndihmon aspak retorika e neveritshme e filmave të kohës së komunizmit, që as vetë Edi Rama s’mujti me ndejt pa e përdorë, tue na tregue nji komponente të kulturës së tij kinematografike. Harron Edi Rama se filmat e asaj kohe sidomos për ketë temë përfaqsojnë nji përdhunim profesional që i asht ba aktorëve tanë, e me ju referue atyne paçavureve asht si me pi voj të trashë në t’esëll. Edi Rama do të bante ma mirë me zhbllokue në parlament çështjen e dosjeve të Sigurimit dhe të mos humbin kohë me ato farë filmash.
Sa për Ballin Kombtar, ai ka qenë nji formacion politik i pozicionuem ideologjikisht majtas, prandaj edhe Fronti e kishte si krypën në sy pse ia rrezikonte bazën. Por Balli Kombtar s’ka pasë nji za të vetëm dhe nji shpirt të vetëm e Mit’hat Frashëri dështoi qysh në fillim me të. Në fund pati grupime të Ballit që shkuen deri atje sa me tentue me dërgue emisarë të vet në Greqi me bashkëpunue me monarkistët grekë kundër komunizmit.
A ka pasë ballistë idealistë dhe atdhedashës? Patjetër që po, tue nisë te vetë Mit’hat Frashëri, Zef Pali, Vasil Andoni, Ali Këlcyra, ka pasë edhe dëshmorë si Besnik Çano, Qeramudin Sulo, Skënder Muço etj.
Pulaxhinj e kriminelë ka pasë në të gjitha formacionet. Partizanët tue qenë ma shumë në numër kanë pasë fatin me numrue ma shumë në mes tyne. Për shembull, tue nisë te njifarë Skënder Rusi, komandant sadist i kampit të përqendrimit për robët italianë të luftës në Punëmirë të Korçës në vitin 1944 e tue vijue te krimineli përdhunues Hodo Habibi alias Toger Baba. Kriminelët e luftës nuk kanë mungue në asnji segment të radhëve të Nacionalçlirimtares. Më 16 tetor 1943 komandanti partizan Kadri Hoxha dhe krimineli Xhelal Staravecka do të pushkatonin pranë Orenjës 121 karabinierë rob lufte që kishin shprehë vullnetin me luftue kundër gjermanëve. Vrasja e tyne bahej thjesht me u marrë teshat dhe pajisjet personale ndërsa kufomat hidheshin buzë nji prroni në afërsi të pyllit. Urdhni për vrasjen e tyne vinte nga Enver Hoxha dhe Dushan Mugosha.
Veç pak emna kriminelësh, pse lista asht e gjatë, tmerrësisht e gjatë për nji vend të vogël si ky i yni.
Edhe trima kishte në të gjitha formacionet luftarake, ashtu siç kishte edhe frikacakë. Sidomos në jug, ku Balli pati mbështetje të gjanë, dendun ndodhte që nji vëlla apo nji kushri të ishte me Nacionalçlirimtaren e tjetri me Ballin. Simbas kinemasë së real-socit, ndamja ishte e bame me thikë: trimat me Lëvizjen e frikacakët me Ballin!
Pse me budallallëqe të tilla do të vijojmë me u marrë ende sot?!
Nuk mund t’ia lamë veç ballistëve monopolin e frikës, mjafton me kujtue shpartallimin dhe dezertimin e formacioneve partizane gjatë operacionit gjerman të dimnit, për me ia shkye pak tisin e lavdisë thjesht kinematografike nji lufte që ma s’parit ishte civile dhe pati kryekrejet si qëllim marrjen e pushtetit në Shqipni, mbasi fati i Reich-ut III sigurisht që nuk vendosej në pritat me “dyfek me gjalmë”!
Kurse mitin e luftës nacional-çlirimtare përkrah koalicionit fitues asht mirë mos me e përdorë. Enver Hoxha nuk ka luftue kurrë përkrah koalicionit fitimtar perëndimor, mjafton me lexue “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” për me kuptue se ajo pjesë e koalicionit për Enverin me shokë ishte po aq e rrezikshme sa vetë nazistat. Ne, në fundin e vitit 1944, nuk kemi fitue atë që fituen popujt e perëndimit mbas nji viti, ne ramë në skllavninë e nji regjimi kriminal që ia ridorëzoi vendin tonë, mbas nji izolimi disa dekadash, botës së lirë në nji gjendje të mjerë. Shqiptarët e uritun e të egërsuem, zhele-zhele e të trembun iu sulën Europës në 1991…ky ishte rezultati i fitoreve të trumbetueme prej regjimit enverist. Të tjerat janë hekurishte kineze, bunkerë dhe pallavra boshe.
Sa për largpamësinë e Enver Hoxhës, mjafton me kujtue budallallëkun dhe trashamanësinë e këtij dështaku të pa profesion, që e ktheu territorin shqiptar në bazë për operacionet e komunistëve grekë, gja që shtyu ushtrinë greke në thellësi të territoreve tona në gushtin e vitit 1949, tue rrezikue sovranitetin e vendit, tue sjellë damtime të randa materiale dhe në jetë njerëzore, të cilat nuk janë “pague” asnjiherë. Këtë gja Hoxha e bani kur vendi ishte i çliruem dhe sovran, ndërsa kuislingët tanë iu bashkuen Italisë në aventurën e marrë kundër grekëve në nji kohë që nuk ishim as sovran dhe as mirëfilli të lirë.
Historinat alla Nasho apo nishanet që shpërndan kapteri i Republikës janë produkte të së njëjtës shkollë demagogjike, nuk ndriçojnë asgja dhe nuk nderojnë askënd, janë thjesht nji turp që duhet të durohet deri kur Nana Natyra të bajë “vettingun” e saj, që s’ka gjykatë kushtetuese që ia hedh poshtë.
*Studiues