Hamsik nuk mjafton, Napoli-Lazio 1-1

E publikuar: 06/11/2016 00:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vijon momenti jo i Napolit. Pas humbjes ndaj Juventusit dhe barazimit në Champions kundër Beshiktashit, Të Kaltrit e Maurizzio Sarrit nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 ndaj Lazios në San Paolo. Forma e mirë e Marchettit por edhe mungesa e një bomberi në sulm u ndjenë te Napoli. Me Elseid Hysajn titullar, ishin vendasit që u shfaqën më kërkues gjatë gjithë takimit. Napoli arriti të gjente avantazhin me kapitenin Marek Hamsik në minutën e 52-të por epërsia e të Kaltërve zgjati fare pak sepse në të 54-tën Keita i ndihmuar disi edhe nga Reina i dha një pikë Lazios dhe mbi të gjitha mbajti pas kryeqytetasve në renditje skuadrën e Maurizzio Sarrit. As hyrja në fushë e Gabbiadinit, 23 minuta përpara fundit nuk i erdhi në ndihmë Napolit që regjistroi barazimin e tretë në këtë sezon të Serisë A.

Ndërkohë në sfidën që hapi javën e 12-të të Serisë A, Torino shpartalloi me rezultatin 5-1 Cagliarin. Në stadiumin Olimpico të Torinos, skuadra Granata ishte thjeshtë e papërmbajtshme. Të besuarit e Sinisa Mihajlovic, shënuan 2 herë që në 11 minutat e para fillimisht me Belottin dhe më pas me Ljajic. Benassi trefishoi shifrat përpara fundit të pjesës së parë, por Melchiori në të 41-tën shënoi golin e flamurit për Cagliarit në këtë sfidë. Në fraksionin e dytë Baselli dhe Belotti nga pika e bardhë e penalltisë i cuan shifrat në 5-1. Një fitore e rëndësishme kjo për Torinon që u ngjit në kuotën e 19 pikëve. Arlind Ajeti edhe në këtë ndeshje qëndroi në stol gjatë gjithë 90 minutëshit./ss/