Hakerët ukrainas kanë thyer një email të dytë që lidhet me Vladislav Surkov, ndihmës i lartë i presidentit rus, Vladimir Putin, dhe kanë publikuar disa dokumente, që, sipas tyre, janë dëshmi të reja për ndërhyrjen e Kremlinit në çështjet e Kievit.
Korrespondencat i janë siguruar Radios Evropa e Lirë nga hakerët.
Nëse janë autentike, ato tregojnë detaje për punën e zyrës së Surkovit në ngritjen e enklavave separatiste në lindje të Ukrainës, më 2014.
Emailet po ashtu tregojnë se si bashkëpunëtorët e Surkovit kanë bërë komplot për të destabilizuar rajonin Kharkiv të Ukrainës dhe kanë ndihmuar në krijimin e udhëheqjeve të grupeve sepratiste në rajonet Donjeck dhe Luhansk të Ukrainës.
Publikimi i këtyre korrespondencave vjen një javë pas publikimit të serisë së parë të emaileve që dyshohet se lidhen me Surkovin. Në këto emaile është folur për planifikimin e aneksimit të Krimesë nga Moska.