Pozita dhe opozita veç demarkacionit do të dialogojnë për FSK’në dhe dialogun me Serbinë

E publikuar: 26/10/2016 10:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Naim Rashiti ka thënë se dialogu midis pozitës dhe opozitës do të vazhdojë dhe ka bërë të ditur se përveç demarkacionit do të diskutohet edhe për dialogun me Serbinë e transformimin e FSK’së. Sipas tij ende janë të mëdha dallimet rreth ligjit e marrëveshjes për demarkacionin, shkruan Gazeta Express.

“Dallimet rreth ligjit të marrëveshjes për demarkacionin janë ende të mëdha, megjithatë të gjitha partitë duan të punojnë për zgjidhje gjithëpërfshirëse për këtë çështje” ka shtuar Rashiti.

Iniciatori i takimit të djeshëm, drejtori për Kosovë i Grupit për Hulumtimin e Politikave të Ballkanit, Naim Rashiti në lidhje me takimin ka thënë se është takimi i dytë i këtij niveli këta dy muaj, ndërsa në nivel nënkryetarësh janë zhvilluar 5 takime.

“Dialogu për tema të vështira po bëhet diçka normale muajt e fundit. Jemi shumë të kënaqur për këtë. Partitë nuk do të pajtohen për shumë tema por duan të zhvillojnë dialog për të gjitha temat. Në këtë dialog veç demarkacionit, do të diskutohet edhe për dialogun me Serbinë ( kjo është një temë në të cilën VV nuk dëshiron të marrë pjesë), transformimi i FSK-së, reformën zgjedhore e zgjedhjet, reformën e rregullores së punës së kuvendit etj” ka thënë ai.

Ndërkaq ka përfunduar pa një marrëveshje takimi i djeshëm i liderëve të subjekteve kryesore politike. Sipas burimeve të Gazetës Express, AAK’ja kishte kërkuar të ndryshonte një pjesë të draft deklaratës për të cilin ishin marrë vesh përfaqësuesit e këtyre subjekteve në takimin e 15 shtatorit. Pas kësaj mosmarrëveshje kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj ka braktisur takimin, por aleatët e NISMA për Kosovën kanë qëndruar deri në fund të tij.

Në lidhje me veprimin e Haradinaj ka komentuar nënkryetari i AAK’së, Pal Lekaj i cili ka shprehur se kjo qeveri është bërë e padurueshme dhe se Haradinaj ka pasur të drejtë për veprimin e tij.

Lekaj ka thënë se nuk mund të durohet një kryeministër i cili e ka humbur kuptimin e të quajturit kryeministër. Sipas tij, kjo qeveri nuk është e orientuar mirë në kohë dhe hapësirë.

Një marrëveshje e mundshme e liderëve për miratimin e demarkacionit do të sjellë edhe liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian(BE).