Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë vizitës në Kosovë të ministrit të Deleguar për Evropën të Republikës Franceze, Benjamin Haddad, janë nënshkruar pesë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Francës, të cilat, sipas tij, do të forcojnë bashkëpunimin në drejtësi, investime, arsim dhe organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se vizita e ministrit francez është vazhdim i takimit që kishte zhvilluar me presidentin francez Emmanuel Macron në muajin mars.
“Sot mirëprita në takim Ministrin e Deleguar për Evropën të Republikës Franceze, Benjamin Haddad. Vizita e sotme e Ministrit Haddad vjen në vazhdën e drekës së punës që zhvillova me Presidentin Emmanuel Macron më 17 mars në Pallatin Elize dhe të angazhimit tonë të përbashkët për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Sot, ky angazhim u konkretizua me nënshkrimin e pesë marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Francës”, shkroi Kurti.
Ai theksoi se marrëveshjet për ekstradim dhe ndihmë të ndërsjellë juridike do të forcojnë bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, ndërsa marrëveshja për kredi prej 60 milionë eurosh do të mbështesë investimet infrastrukturore për Lojërat Mesdhetare.
“Marrëveshja për ekstradim dhe Marrëveshja për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale forcojnë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve tona të drejtësisë, në luftimin e krimit dhe sigurimin e llogaridhënies. Marrëveshja e kredisë prej 60 milionë eurosh dhe themelimi i Komitetit Francë–Kosovë do të mbështesin investimet infrastrukturore, përgatitjen dhe organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe trashëgiminë e tyre afatgjatë. Ndërkaq, marrëveshja administrative për mësimdhënien e gjuhës frënge zgjeron mundësitë për mësimin e saj dhe e afron më tej Kosovën me hapësirën frankofone”, u shpreh ai.
Kurti bëri të ditur se në takim me ministrin Haddad është diskutuar edhe për integrimin evropian të Kosovës, sigurinë rajonale dhe bashkëpunimin ekonomik.
“Me Ministrin Haddad diskutuam për integrimin evropian të Kosovës, sigurinë rajonale, bashkëpunimin ekonomik dhe thellimin e partneritetit dypalësh. Kërkova mbështetjen e Francës për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në organizata të tjera ndërkombëtare”, deklaroi Kurti.
Ai falënderoi ministrin francez për vizitën dhe vlerësoi se marrëveshjet e nënshkruara përfaqësojnë një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve.
“E falënderova Ministrin Haddad për vizitën dhe për angazhimin e tij në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Marrëveshjet e nënshkruara sot dëshmojnë se partneriteti ynë po shndërrohet gjithnjë e më shumë në projekte, investime dhe rezultate konkrete për qytetarët e Kosovës”, tha tutje ai.




























