Kryenegociatori i Kosovës, Agron Bajrami, reagoi ndaj deklaratës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se “Kosova është pjesë e Serbisë”.
Në një postim në platformën X, Bajrami tha se deklarata të tilla minojnë dialogun dhe stabilitetin në rajon.
“Nuk mund të ketë dialog të besueshëm ndërsa njëra palë ende pretendon territorin e palës tjetër”, shkroi ai.
Bajrami shtoi se Beogradi vazhdon të “riciklojë gjuhën e viteve ’90” dhe theksoi se “Kosova nuk do ta negociojë ekzistencën e saj”.
Ai shpërndau edhe reagimin e Demokratëve Evropianë, të cilët dënuan deklaratat e Vuçiqit dhe ministres serbe Snezhana Paunoviq, duke kërkuar lidership të përgjegjshëm dhe respektim të së drejtës ndërkombëtare.
Në reagimin e Demokratëve Evropianë thuhet se Vuçiq sërish deklaroi se Kosova është pjesë e Serbisë, duke ringjallur retorikën që minon pajtimin dhe stabilitetin në rajon.
“Deklarata e tij vjen vetëm disa ditë pasi ministrja Sneazhana Paunoviq deklaroi se do ta kishte ‘spastruar etnikisht’ Kosovën në vitin 1998. Këto komente u dënuan gjerësisht në të gjithë Evropën, megjithatë nuk kanë pasuar pasoja politike. Lidershipi definohet jo vetëm nga qëndrimet që merr, por edhe nga retorika që toleron dhe legjitimon. Ballkani Perëndimor ka nevojë për lidership të përgjegjshëm të përkushtuar ndaj dialogut, pajtimit dhe respektit për të drejtën ndërkombëtare. E ardhmja e tyre evropiane nuk mund të ndërtohet mbi narrativa nacionaliste, por mbi besimin e ndërsjellë, llogaridhënien dhe vlerat e përbashkëta demokratike”, thuhet në reagimin e “European Democrats”.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, gjatë ceremonisë së promovimit të oferëve të rinj të Ushtrisë serbe, tha sërish se “Kosova është pjesë e Serbisë”.
“Kosova është pjesë e atdheut tonë, pjesë e Serbisë sonë, edhe sipas Kushtetutës, edhe sipas drejtësisë së Zotit, dhe këtë duhet ta kujtojmë, dhe këtë shenjtëri duhet ta ruajmë.




























