I akuzuari Sami Lushtaku, në fjalën përfundimtare para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka deklaruar se prej 13 vitesh po përballet me procese gjyqësore nga drejtësia e EULEX-it, duke insistuar se është i pafajshëm dhe se ndaj tij nuk ka prova dhe argumente, raporton Ekonomia Online.
Lushtaku ka thënë se më herët ishte dënuar për krime lufte me 12 vjet burgim, ndërsa kishte mbajtur katër vjet burg dhe më pas ishte shpallur i pafajshëm.
“Unë që 13 vite përsekutohem nga drejtësia e EULEX-it pa argumente dhe pa fakte. Gjykimi im ka ndodhur për krime lufte, që kam marrë një dënim prej 12 vjetësh dhe kam mbajtur 4 vjet burg dhe jam shpallur i pafajshëm. E di që kjo aktakuzë ju ka mvesh kësaj gjykate si dëshmi e hekurt nga EULEX-i, që ka pasur qëllim, se këtu nuk ka bazë juridike që unë të akuzohem për diçka që nuk kam pasur lidhje”, tha ai.
Ai ka mohuar se dëshmitarët e përmendur në rast kanë qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë ndaj tij, duke thënë se disa nga të akuzuarit nuk i ka njohur fare.
“As dëshmitari F as C nuk kanë qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë ndaj meje. Një pjesë të këtyre të akuzuarve unë nuk i kam njohur asnjëherë. Sheremetin e kam vendas, por asnjëherë nuk e kam njohur. Prandaj, për mua është e rëndësishme që unë e ndiej veten të pafajshëm dhe e ndiej veten që 13 vite i penalizuar dhe i përndjekur nga gjykatat e EULEX-it”, tha Lushtaku.
Lushtaku ka deklaruar se asnjëherë nuk ka kërkuar mëshirë, por vetëm drejtësi.
“Unë asnjëherë nuk kam kërkuar mëshirë, kam kërkuar gjithmonë vetëm drejtësi, edhe këtë rast kërkoj vetëm drejtësi”, tha ai.
Edhe avokati mbrojtës i Lushtakut, Artan Çerkini, tha se mbrojtja në fjalën përfundimtare do të fokusohet në dëshminë e një dëshmitari, i cili, sipas tij, kishte ndryshuar deklaratën gjatë shqyrtimit gjyqësor, si dhe në çështjen e paraburgimit dhe akuzës për krim të organizuar.
ka ngritur dilema se si një person që ka qenë në paraburgim në Burgun e Sigurisë së Lartë do të mund të organizonte një grup për të ndikuar te dëshmitarët.
“Ajo që kuptuam është se prokurori po kërkon nga trupi gjykues t’i besohet një dëshmitari, i cili paska dhënë një deklaratë në fazën e hetimeve, e paska ndryshuar atë deklaratë në shqyrtim gjyqësor. Paska kërkuar mjete financiare për ta ndryshuar deklaratën dhe kur ka ardhur këtu ka dhënë deklarata shumë kontraverse”. “Do të fokusohem te çështja e paraburgimit, se si ka mundësi që dikush që ka qenë në paraburgim në Burgun e Sigurisë së Lartë të organizojë një grup që të ndikojë te dëshmitarët. Së dyti, do të analizohet edhe dëshmia e dëshmitarit C. Pastaj çështja e pranueshmërisë së disa provave dhe analizimi i veprës penale ‘krim i organizuar’”, tha ai.




























