Shefat e Misioneve të Bashkimit Evropian vizituan të enjten Zveçanin, ku u takuan me kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës për të diskutuar funksionimin e qeverisjes lokale dhe ushtrimin e kompetencave të tyre tetë muaj pas marrjes së detyrës, pas zgjedhjeve lokale të tetorit 2025.
Gjatë takimit, kryetarët e komunave paraqitën një sërë sfidash që, sipas tyre, vazhdojnë të pengojnë ofrimin e shërbimeve komunale. Ata përmendën mungesën e arkivave, mungesën e stafit të kualifikuar, kufizimet buxhetore, çështjet pronësore, si dhe kontrollin nga niveli qendror mbi aktivitetet komunale.
Përveç takimit me kryetarët e komunave, shefat e misioneve të BE-së zhvilluan takime të ndara edhe me përfaqësues të shoqërisë civile dhe anëtarë të kuvendeve komunale nga partitë opozitare.
Në një deklaratë, Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare ritheksuan përkushtimin për forcimin e vetëqeverisjes lokale në Kosovë dhe decentralizimin në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.
BE-ja bëri thirrje për përmirësimin e koordinimit ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, rritjen e mbështetjes për komunat nga ministritë përkatëse, si dhe zbatim të barabartë të parimeve të sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës.
Sipas BE-së, administratat komunale efektive, llogaridhënëse dhe plotësisht funksionale, që ofrojnë shërbime cilësore për të gjithë qytetarët, përfshirë ata në veri të vendit, janë thelbësore për ndërtimin e besimit, stabilitetit dhe prosperitetit.
Bashkimi Evropian theksoi se, si partneri kryesor dhe donatori më i madh i asistencës financiare për Kosovën, do të vazhdojë të mbështesë komunat dhe reformat që synojnë forcimin e vetëqeverisjes lokale në të gjithë vendin.



























