Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka vlerësuar se ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike po shkaktojnë dëme të konsiderueshme për bizneset, duke ndikuar në procesin e prodhimit, furnizimin e klientëve dhe klimën për investime.
Rafuna tha se mungesa e energjisë elektrike gjatë procesit të prodhimit u shkakton humbje të drejtpërdrejta bizneseve.
“Bizneset pësojnë shumë. E para, për shkak se në momentin që ndërpritet energjia elektrike, e tërë linja e prodhimit ajo lëndë e parë apo gjysmë lloj produkti që ndodh në linjën e prodhimit—shkon shkart. Ose nuk mund më të përpunohet dhe të shkojë si produkt final. Dhe kjo kosto i faturohet biznesit. E dytë, ka më pas vonesa në furnizim të të blerësve, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, se prodhuesi nuk ka mundësi që të prodhojë sasinë që e ka planifikuar sot, për shembull. Dhe padyshim kjo të nesërmen nuk mund të kompensohet, nuk mund t’i dyfishojë kapacitetet, se atë makineri e ka, që atë sasi duhet ta prodhojë brenda një dite ose një afati të caktuar. Dhe padyshim kjo reflektohet te zinxhiri i furnizimit, sidomos te dërgimi te blerësi. Dhe këtu bizneset dëmtohen shumë. Biznesi dëmtohet edhe në kuptimin e kohës, po edhe në kuptimin material”, deklaroi Rafuna.
Sipas tij, bizneset duhet të njoftohen të paktën 24 orë para ndërprerjeve të planifikuara të energjisë elektrike, në mënyrë që të organizojnë procesin e punës dhe të shmangin humbjet.
“Po koha e duhur do të ishte 24 orë më herët, që të njoftohet biznesi për ndërprerjen që do të ketë. Mos të befasohet biznesi me u ndërprerë energjia elektrike, siç e thamë, në momentin që është në kulmin e prodhimit, me i’u ndërprerë energjia elektrike dhe gjithë ajo vijë e prodhimit të shkojë shkart, të shkojë në në dëm të prodhuesit. Kjo është një prej pengesave më të mëdha edhe për thithjen e investimeve të huaja në Kosovë. Mosstabiliteti me energjinë elektrike ndikon shumë te ardhja e investitorëve të huaj ose në gjerësinë e kapaciteteve të prodhimeve tona. Dhe kjo është një prej arsyeve pse po kërkojmë që të ketë edhe alternativa të tjera, domethënë mos të jetë vetëm energjia elektrike që importohet apo prodhohet në KEK si alternativë e vetme, por të jetë edhe gazi, por të jetë edhe energjia e ripërtëritshme e kështu me radhë”, u shpreh ai.
I pyetur nëse ndërprerjet e energjisë mund të kenë ndikuar në mbylljen e një numri të madh biznesesh gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, Rafuna tha se Oda Ekonomike nuk ka të dhëna konkrete, por theksoi se faktorët janë të shumtë.
“Nuk kemi të dhëna sa i përket kësaj, a mund të jetë energjia elektrike shkaktar, mirëpo kur mbyllet një biznes mblidhen shumë shkaktarë. E kështu që duhet të identifikohen nga ana e institucioneve tona, mirëpo kjo bllokada politike, mosfunksionimi i institucioneve me fuqi të plotë, duke mos qenë të fuqiplota për me marrë vendime, po ndikon edhe në investime, po ndikon edhe në jetën e përditshme. Dhe presim që sa më shpejt t’i kemi institucionet dhe të fillojë punën për përmirësimin e ambientit për të bërit biznes në Republikën e Kosovës”, tha ai.
Duke komentuar njoftimet e KEDS-it për ndërprerjet e energjisë elektrike për shkak të punimeve në rrjet, Rafuna tha se bizneset nuk duhet të mbesin pa furnizim, pavarësisht nevojës për mirëmbajtje.
“Po me siguri që duhet ndërhyrja në rrjet, duhet të bëhen punimet, se punimet bëhen edhe në vendet më të zhvilluara, mirëpo nuk ndërpritet energjia elektrike. Sigurohet në mënyrë alternative furnizimi derisa të bëhen punimet në rrjet. Nuk është e drejtë që vetëm të ndalet energjia elektrike dhe kemi punime në rrjet. Biznesit nuk i intereson rrjeti, biznesit i intereson që të ketë furnizim të rregullt dhe paguan që të ketë furnizim të rregullt. Edhe ashtu çmimi i energjisë elektrike tani po e shohim sa ka mbërritur. Kërkesa jonë si Odë Ekonomike është që të sigurohet furnizim i rregullt për biznesin. Në çfarë forme e siguron, si e siguron, kur i përfundon punimet në rrjet, ne nuk na intereson. Ne na intereson që të kemi furnizim të pandërprerë të energjisë elektrike”, shtoi Rafuna.
Ndërkaq, sot është bërë e ditur se në disa lagje të Prishtinës ka ndërprerje të energjisë elektrike dhe se sipas njoftimit ndërprerja zgjatë deri në ora 20:00./EO




























