Treshja e famshme humoristike “Stupcat” do të jenë një nga risitë e sezonit të tretë të serialit komik “O sa mirë”, i cili do të nisë të transmetohet që nga e diela e fundit e këtij tetori, në Kohavision.
Ky sezon i ri i serialit, që ka për bazë kolegjin, në të cilin studiojnë disa ‘studentë’ nga të gjitha trevat shqiptare, ka pësuar një varg ndryshimesh, si në strukturën organizative, po ashtu dhe të personazheve.
Fuka, Misini, Fahrushi, Shkupi, Preshevari, Arbnori, Turku e Sasa janë këto disa prej personazheve të këtij seriali, që do t’i vë në përballje gjatë tërë këtij sezoni skenaristi Ard Islami, kurse regjinë do ta realizojë Valter Lucaj.
Nga seriali, që ka arritur deri tani në tetëdhjetë e pesë episode, janë larguar disa aktorë, ndërsa është freskuar me disa të tjerë.
Seriali humoristik “O sa mirë” do të transmetohet çdo të diele nga ora 20:00 në Kohavision, ndërsa në episodet e sezonit të tretë pritet të trajtohen edhe temat e politikave ditore shqiptare.