Derisa deputetët e zgjedhur ende nuk kanë mbajtur asnjë seancë, përkundër që janë certifikuar zgjedhjet për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës, administrata e Kuvendit po kujdeset që deputetët e ri të mos kenë asnjë mungesë në pije dhe ushqim, raporton Infosot.
Kuvendi i Kosovës ka shpallur një tender me vlerë të parashikuar prej 202 mijë eurosh për shërbime hotelerie, që përfshijnë ushqim, kafe, pije freskuese dhe verë.
Bëhet fjalë për tenderin “Shërbime të hotelerisë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, me vlerë të parashikuar prej 202,000 eurosh. Lista e produkteve që kërkohen është e gjatë dhe përfshin pothuajse gjithçka, nga kafja turke dhe espresso, makiato, kapuçino, çajra të llojeve të ndryshme dhe çokollatë të ngrohtë, deri te pijet e gazuara, lëngjet e frutave, uji natyral dhe ai i gazuar.
Në pjesën e ushqimit, lista është edhe më e gjerë. Kuvendi kërkon furnizim me supë viçi dhe pule, sallata të ndryshme, tarator, djathë, omëleta me proshutë, djathë ose kërpudha, makarona, spageta bolonjeze, sanduiçë me proshutë, pulë, tuna apo vezë, kifle të llojeve të ndryshme, pica në disa variante dhe madhësi, file pule me garniturë, si dhe verëra vendore e të importuara.
Ky tender vjen në një kohë kur Kuvendi vazhdon të jetë i pa konstituuar. Edhe pas zgjedhjeve, deputetët nuk kanë arritur ta konstituojnë legjislaturën e re, ndërsa vendi vazhdon të funksionojë pa institucionet e reja. Përplasjet politike mes partive parlamentare kanë bërë që procesi të zvarritet për muaj të tërë, ndërsa qytetarët vazhdojnë të presin formimin e institucioneve.
Kosova ka hyrë në cikle të shpeshta zgjedhore në vitet e fundit, duke zhvilluar disa procese zgjedhore brenda një periudhe relativisht të shkurtër. Kjo ka sjellë kosto të konsiderueshme financiare për buxhetin e shtetit, por edhe vonesa në vendimmarrje dhe në zbatimin e politikave publike.
Në anën tjetër, pavarësisht krizës politike, benefitet që lidhen me funksionimin e deputetëve dhe administratës parlamentare vazhdojnë të jenë pjesë e buxhetit institucional. Përveç pagave që arrijnë afërsisht në 2 mijë euro në muaj, deputetët përfitojnë edhe kompensime e pagesa të tjera të parashikuara me legjislacion, si mëditje për udhëtime zyrtare, rimbursime të shpenzimeve të transportit sipas kushteve të përcaktuara, si dhe shërbime të byfesë brenda Kuvendit.
Tenderi i ri prej mbi 200 mijë eurosh është paraparë pikërisht për këto shërbime hotelerie, të cilat do të përdoren në ambientet e Kuvendit.
Në një kohë kur shumë familje në Kosovë vazhdojnë të përballen me rritjen e kostos së jetesës për shkak të inflacionit, deputetët nuk do ta ndjejnë këtë, për shkak të pagave të majme dhe benifiteve tjera që gëzojnë nga pozita e tyre./Infosot




























