Lajmet

Sot në Bruksel vetëm Kosova s’mori asgjë, Emini: Jemi vendi me më së pakti peshë në agjendë, kriza politike ndikoi negativisht te partnerët

14.07.2026 18:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Sot në Bruksel vetëm Kosova s’mori asgjë, Emini: Jemi vendi me më së pakti peshë në agjendë, kriza politike ndikoi negativisht te partnerët

Sot Bashkimi Evropian ka shtyrë përpara agjendën e vet të zgjerimit, duke bërë progres sa i përket përpjekjeve për anëtarësim të Ukrainës, Moldavisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi. Dy shtetet e fundit janë shumë afër për t’u bërë anëtaret më të reja të BE-së, sidomos Podgorica zyrtare. Megjithatë teksa rajoni po avancon drejt BE-së, Kosova vazhdon të mbetet jashtë agjendës së Brukselit duke mos arritur ta marrë as statusin e vendit kandidat, për çka ka aplikuar qysh në vitin 2022. Derisa në Bruksel për shkak të këtyre zhvillimeve dita u cilësua si ” Super e Martja”, në Kosovë ishte e martë e zakonshme.

Analistja politike, Donika Emini, në një intervistë për Gazetën Express thotë se përveç mungesës së konsensusit brenda BE-së, Kosova aktualisht është vendi me më së pakti peshë në agjendën politike të BE-së.

Emini ka thënë e procesi i zgjerimit përveç teknik, është edhe një proces thellësisht politik ku pesë shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës paraqesin pengesë për avancimin në rrugën drejt BE-së.

“Por ky fakt nuk e shpjegon plotësisht mungesën e progresit. Në të kaluarën, Bashkimi Evropian ka gjetur mënyra për ta avancuar marrëdhënien me Kosovën duke tejkaluar sfidën e vendet jo-njohëse”, ka thënë Emini për Express.

Ngecjen e avancimit të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit, Emini e lidh edhe me mungesën e progresit në dialogun për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

“Në shumë raste, Kosova ka avancuar në raport me BE-në në periudha kur dialogu ka prodhuar një momentum politik. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është një shembull i kësaj dinamike, pasi erdhi në një moment kur proceset politike në rajon krijuan hapësirë për avancim. Sot, për shkak të mungesës së progresit në dialog dhe mungesës së një zhvillimi të ri politik në këtë proces, edhe Kosova ka humbur një pjesë të rëndësisë në agjendën e BE-së”, ka potencuar Emini për Express.

Emini thotë se s’mund të ketë progres drejt integrimit vetëm duke kërkuar statusin e vendit kandidat në takime zyrtare, por duke u angazhuar vazhdimisht në aspektin diplomatik për të bindur partnerët se avancimi i dosjes së Kosovës është në interes të BE-së.

“Mendoj se pikërisht këtu ka munguar një qasje më strategjike nga Kosova. Për shembull, Plani i Rritjes ishte një mundësi e rëndësishme për ta vendosur Kosovën në një pozitë tjetër: për të treguar se vendi mund të avancojë në reforma, se mund të jetë një histori suksesi dhe se, nëse ka pengesa, ato janë kryesisht politike. Nëse Kosova do të kishte arritur ta ndërtonte këtë narrativë dhe këtë presion politik, debati do të ishte zhvendosur më shumë te përgjegjësia e BE-së për të gjetur mënyra për ta avancuar procesin”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se Kosova në vitet e fundit është fokusuar në menaxhim të krizave të brendshme politike, duke e bërë kështu të vështirë për partnerët që të shohin Kosovën si një vend që po krijon një momentum pozitiv.

“Kështu që, për mendimin tim, kjo nuk është çështje ku vetëm BE-ja ka dështuar apo vetëm Kosova ka dështuar. BE-ja do të vazhdojë të ketë sfidën e mungesës së konsensusit për Kosovën, por njëkohësisht Kosova ka humbur një mundësi të rëndësishme për ta shtyrë përpara interesin e saj. Edhe në një BE që mbetet e ndarë për Kosovën, ekzistojnë hapësira politike për avancim, por ato kërkojnë një angazhim shumë më të thellë diplomatik dhe një strategji të qartë nga vetë Kosova”, shprehet ajo.

Ekspertja e marrëdhenieve ndërkombëtare, Donika Emini, nuk pajtohet se Ukraina dhe Kosova janë dy raste që mund të krahasohen kur bëhet fjalë tek avancimi drejt BE-së. Megjithatë ajo i tërheq vërejtjen Kosovës se s’ka shfrytëzuar momentumin e ri që kishte krijuar Ukraina sa i përket procesit të zgjerimit të BE-së.

“Ajo që Kosova nuk ka arritur të bëjë që nga viti 2022 është ta shfrytëzojë këtë momentum të ri dhe të pozicionohet brenda kësaj vale të re të zgjerimit. Ky është një nga problemet kryesore të politikës sonë evropiane. Nuk është vetëm çështje e dy viteve të fundit dhe e ngërçit politik; është edhe mungesë e një qasjeje strategjike afatgjatë për ta avancuar pozicionin e Kosovës në BE”, ka shtuar Emini.

Emini thotë se ka kaluar koha kur Kosova është shtyrë përpara nga partnerët apo nga interesa strategjike.

“Sot nuk mjafton të kërkosh, duhet të angazhohesh në mënyrë aktive për ta ndërtuar mbështetjen politike”, ka thënë Emini për Express.

Sa i përket avancimit të Shqipërisë dhe Malit të Zi, Emini thotë se këto dy shtete kanë arritur ta kapitalizojnë momentumin e ri të krijuar nga Ukraina, gjë që Kosova nuk ka arritur ta bëjë.

Ajo potencon edhe ndikimin negativ të krizës politike në Kosovë për shfrytëzimin e platformës së Planit të Rritjes për t’u afruar edhe më shumë me BE-në.

“ Sikur të mos kishte pasur bllokadë politike dhe institucionale, Kosova do të kishte qenë në një pozitë shumë më të mirë për ta shfrytëzuar këtë instrument”, shton ajo.

Në fund, Emini thotë se ka frikë që dritarja e hapur sot për integrim të mos përsëritet për një kohë shumë të gjatë.

“Prandaj, kjo situatë flet jo vetëm për sfidat që ka BE-ja, por edhe për mungesën e vizionit strategjik dhe të përgjegjësisë nga elitat politike të Kosovës për ta shtyrë përpara këtë proces. Sigurisht që avancimi drejt BE-së nuk është i lehtë dhe nuk varet vetëm nga Kosova. Por momentet politike janë të rralla dhe duhet të shfrytëzohen kur krijohen. Frika ime është se kjo dritare që është hapur sot mund të mos përsëritet në të njëjtën mënyrë për një kohë të gjatë”, ka përfunduar ajo./GazetaExpress/

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Arben Gashi kërkon zgjedhje të reja në LDK: Koha për një fillim të ri është tani!

Arben Gashi kërkon zgjedhje të reja në LDK: Koha për një fillim të ri është tani!

Kthimi i ligjit të Speciales, Ramadani: Kushdo që është përfshirë në këtë lojë do ta trajtojmë si kundërshtar të UÇK-së

Kthimi i ligjit të Speciales, Ramadani: Kushdo që është përfshirë në këtë lojë do ta trajtojmë si kundërshtar të UÇK-së

“Shokuese, rruga më e keqe, ka pasur rrugë të tjera”, Limaj kritikon PDK-në për kthimin e ligjit për Specialen

“Shokuese, rruga më e keqe, ka pasur rrugë të tjera”, Limaj kritikon PDK-në për kthimin e ligjit për Specialen

Gruda: Ligji për Gjykatën Speciale nuk ka asnjë gabim, qëndroj prapa çdo shkronje të tij

Gruda: Ligji për Gjykatën Speciale nuk ka asnjë gabim, qëndroj prapa çdo shkronje të tij

Kthimi i ligjit në Kuvend, Bajqinovci: Ku janë sot ata që flisnin për bomba e ushtronin presion mbi Qeverinë dhe VV-në

Kthimi i ligjit në Kuvend, Bajqinovci: Ku janë sot ata që flisnin për bomba e ushtronin presion mbi Qeverinë dhe VV-në

Pas kthimit në Kuvend, OVL-UÇK paralajmëron protesta nësë zvarritet Ligji për Specialen

Pas kthimit në Kuvend, OVL-UÇK paralajmëron protesta nësë zvarritet Ligji për Specialen

Presidentja rikthen në Kuvend ligjin për Specialen, katër javë kohë për shqyrtim

Presidentja rikthen në Kuvend ligjin për Specialen, katër javë kohë për shqyrtim

Kurti ndan pamje nga Samiti i Berlinit, njofton për bisedën me Merz: Investimet gjermane janë rreth 1.5 miliardë euro

Kurti ndan pamje nga Samiti i Berlinit, njofton për bisedën me Merz: Investimet gjermane janë rreth 1.5 miliardë euro

KDI: Bllokimi i emërimit të deputetëve të Listës Serbe në komisione cenon përfaqësimin e komuniteteve

KDI: Bllokimi i emërimit të deputetëve të Listës Serbe në komisione cenon përfaqësimin e komuniteteve

Gërvalla takon ambasadorin austriak, flasin për reformën në drejtësi dhe bashkëpunimin juridik

Gërvalla takon ambasadorin austriak, flasin për reformën në drejtësi dhe bashkëpunimin juridik

Sveçla në Itali takon kreun e Karabinierëve, interesohet për bashkëpunim rreth krijimit të Xhandarmërisë në Kosovë

Sveçla në Itali takon kreun e Karabinierëve, interesohet për bashkëpunim rreth krijimit të Xhandarmërisë në Kosovë

Foto familjare e Samitit të Procesit të Berlinit, Rama e Spajic afër Merzit e Kos-it, Kurti e Mickoski lihen në cep

Foto familjare e Samitit të Procesit të Berlinit, Rama e Spajic afër Merzit e Kos-it, Kurti e Mickoski lihen në cep

Hoti: Përparim Rama, Kujtim Shala ose Hykmete Bajrami do t’i bënin nder LDK-së nëse bëhen kryetar

Hoti: Përparim Rama, Kujtim Shala ose Hykmete Bajrami do t’i bënin nder LDK-së nëse bëhen kryetar

Kurti takon Haddadin, thotë se partneriteti me Francën po sjell rezultate konkrete

Kurti takon Haddadin, thotë se partneriteti me Francën po sjell rezultate konkrete

Ministria e Mbrojtjes ndan afro 1 milion euro për shkollimin e pjesëtarëve të FSK-së

Ministria e Mbrojtjes ndan afro 1 milion euro për shkollimin e pjesëtarëve të FSK-së

Osmani: Gjykata Kushtetuese nuk duhet të jetë zgjatim i politikës apo peng i interesave të pushtetit

Osmani: Gjykata Kushtetuese nuk duhet të jetë zgjatim i politikës apo peng i interesave të pushtetit