Spiro Suli, baba i tre fëmijëve i mbetur pa punë, kërcënoi këtë të mërkurë se do të vetëflijohej para Bashkisë së Kuçovës.
Atij i ishte bllokuar aktiviteti dhe për një orë, në gjendje të rënduar psikologjike ai qëndroi brenda automjetit i lyer me benzinë, ndërsa në dorë mbante një letër dhe një shkrepëse.
Policia dhe zjarrfikësit mbërritën në vendgjarje. Por kur situata nuk u qetësua, gazetarja e Top Channel tentoi të negocionte.
Gazetarja: Kush të ka ndalur?
Spiro Suli: Këta të bashkisë, më vjen policia përditë dhe nuk kam punuar dot asnjë ditë. Kam 3 fëmijë dhe jam i papunë, edhe unë edhe gruaja.
Gazetarja: Sa kohë ke që tregton?
Spiro Suli: 11 vjet.
Gazetarja: Po që të kanë ndaluar?
Spiro Suli: Dy muaj.
Gazetarja: Mund të presësh për pak sa të vijë këtu një përfaqësues i bashkisë?
Spiro Suli: Po.
Në vendin e ngjarjes mbërriti edhe nënkryetari i bashkisë, Shpëtim Nishani. “Çfarë problemi ke se unë nuk e di, sapo më informuan”, tha Nishani.
Takimi vazhdoi në zyrën e nënkryetarit të bashkisë. “Atje janë 200 tregtarë me pakicë, ky është pjesë e tyre. Të gjithë blejnë tek shumica dhe e shesin tek populli. Zotëria shet edhe tek biznesi edhe tek populli. Kjo është ajo të cilën ky duhet të kuptojë”, tha Nishani.
Nënkryetari premtoi të zgjidhë nesër problemin e qytetarit, që disponon liçencë për tregëtimin e frutave dhe perimeve me pakicë.
/ Top Channel