Lajmet

Supremja refuzon të gjitha ankesat, hapet rruga për certifikimin e rezultateve

07.07.2026 16:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Supremja refuzon të gjitha ankesat, hapet rruga për certifikimin e rezultateve

Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur për pesë ankesat administrative të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Të gjitha ankesat janë refuzuar si të pabazuara.

Me aktgjykimin AA.nr.29/2026, Gjykata Supreme ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Listës Serbe, të paraqitur kundër vendimit të PZAP-së, ZP.Anr.56/2026.

Lista Serbe pretendonte se subjekti politik “GI – Za Slobodu, Pravdu i Opstanak” (ZSPO) kishte siguruar mandatin e rezervuar për komunitetin serb kryesisht përmes votave të fituara në komuna dhe vendvotime me shumicë shqiptare, duke cenuar, sipas saj, qëllimin kushtetues të përfaqësimit autentik të komunitetit serb.

Gjykata Supreme vlerëson se këto pretendime janë të pabazuara. Gjykata thekson se sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, vota është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë dhe se Lista e Votuesve nuk përmban të dhëna për përkatësinë etnike të votuesve. Për rrjedhojë, nuk ekziston bazë ligjore që vlefshmëria ose efekti juridik i një vote të varet nga përkatësia etnike e votuesit apo nga struktura demografike e vendbanimit ku është dhënë ajo.

Gjykata gjithashtu konstaton se ankuesi nuk ka paraqitur prova konkrete që do të dëshmonin manipulim të votave ose ndonjë parregullsi tjetër zgjedhore që do të ndikonte në rezultatin zgjedhor. Pretendimet e paraqitura mbështeteshin në supozime dhe krahasime statistikore, të cilat, sipas Gjykatës, nuk përbëjnë bazë ligjore për ndërhyrje në rezultatin zgjedhor. Po ashtu, Gjykata vlerëson se vetë subjekti politik që kishte fituar mandatin e kontestuar është subjekt i regjistruar për përfaqësimin e komunitetit serb, prandaj nuk mund të konsiderohet se është cenuar mekanizmi kushtetues i vendeve të garantuara.

Me aktgjykimin AA.nr.30/2026, Gjykata Supreme ka refuzuar si të pabazuar ankesën e kandidates Emilija Rexhepi, nga subjekti politik Nova Demokratska Stranka (NDS), të paraqitur kundër vendimit të PZAP-së, ZP.Anr.57/2026.

Ankuesja kishte kundërshtuar vendimin e PZAP-së, duke pretenduar ekzistonte një mospërputhje ndërmjet strukturës demografike të vendbanimit dhe rezultatit zgjedhor, duke kërkuar anulimin e këtyre votave për efekt të shpërndarjes së mandatit të garantuar për komunitetin boshnjak.

Gjykata vlerëson se pretendimet e ankueses mbështeten në interpretime statistikore dhe demografike, të cilat nuk përbëjnë bazë ligjore për të vënë në dyshim vlefshmërinë e votave apo rezultatin zgjedhor. Legjislacioni zgjedhor i Republikës së Kosovës nuk parashikon strukturën etnike të popullsisë si kriter për vlerësimin e ligjshmërisë së votimit apo të rezultateve zgjedhore.

Po ashtu, Gjykata thekson se Lista e Votuesve nuk përmban të dhëna mbi përkatësinë etnike të votuesve, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mbledh, administron apo përpunon të dhëna të tilla. Për rrjedhojë, nuk ekziston bazë ligjore për shpalljen e pavlefshme të fletëvotimeve mbi supozime që lidhen me përkatësinë etnike të votuesve.

Kolegji i Gjykatës Supreme vlerëson se ankuesja nuk ka paraqitur prova të qarta dhe bindëse që do të dëshmonin manipulim të votave, ndërhyrje në procesin e votimit, cenim të zinxhirit të sigurisë apo shkelje të procedurave zgjedhore, siç kërkohet nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Me aktgjykimin AA.nr.31/2026, Gjykata Supreme ka refuzuar si të pabazuar ankesën e kandidates Emilija Rexhepi, nga subjekti politik Nova Demokratska Stranka (NDS), të paraqitur kundër vendimit të PZAP-së, ZP.A.nr.58/2026.

Ankuesja kishte kërkuar verifikimin e ligjshmërisë së përdorimit të votave të fituara nga subjekti politik Za Slobodu, Pravdu i Opstanak (ZSPO) në gjashtë qendra votimi në Komunën e Prizrenit, duke pretenduar se ato vota ishin realizuar në vendbanime me shumicë të komunitetit boshnjak dhe se kjo duhej të verifikohej në funksion të mbrojtjes së vendeve të garantuara për komunitetin serb.
Gjykata Supreme vlerëson se vendimi i PZAP-së është i drejtë dhe i bazuar në ligj. Kjo, pasi legjislacioni zgjedhor nuk e lidh vlefshmërinë e votës me përkatësinë etnike të votuesit dhe se nuk ekziston bazë kushtetuese apo ligjore që votat të vlerësohen mbi bazën e strukturës etnike të një vendbanimi. Sipas Gjykatës, e drejta e votës është individuale dhe çdo qytetar është i lirë të votojë për subjektin politik që zgjedh, pa marrë parasysh përkatësinë e tij etnike.

Gjykata rikujton se Kushtetuta garanton njëkohësisht të drejtën individuale të votës dhe mekanizmin e vendeve të garantuara për komunitetet jo-shumicë, por këto garanci nuk autorizojnë organet zgjedhore apo gjykatat të kategorizojnë votat sipas përkatësisë etnike të votuesve ose të nxjerrin përfundime mbi vlefshmërinë e tyre bazuar në të dhëna demografike.
Po ashtu, Gjykata konstaton se ankuesja nuk kishte paraqitur prova konkrete për manipulim të fletëvotimeve, ndërhyrje në materialin zgjedhor apo ndonjë shkelje tjetër të procesit zgjedhor. Mospërputhja statistikore ndërmjet strukturës demografike të vendbanimeve dhe numrit të votave të fituara nga një subjekt politik, në mungesë të provave për parregullsi zgjedhore dhe të një baze të qartë ligjore, nuk mund të prodhojë pasoja juridike mbi vlefshmërinë e votave ose rezultatin zgjedhor.
Me aktgjykimin AA.nr.32/2026, Gjykata Supreme ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Bekim Haxhiut, kandidat për Deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nga subjekti politik: Partia Demokratike e Kosovës (PDK), të paraqitur kundër vendimit të PZAP-së, ZP.Anr.54/2026.

Bekim Haxhiu kishte pretenduar se vendimi i PZAP-së ishte marrë mbi bazën e konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, zbatimit të gabuar të së drejtës materiale dhe procedurale zgjedhore, si dhe se ishin cenuar të drejtat e tij kushtetuese për t’u zgjedhur, barazia procedurale dhe e drejta për mjet juridik efektiv. Ai kishte kërkuar rinumërimin e plotë të votave preferenciale të kandidatëve të PDK-së në vendvotimet që nuk ishin përfshirë në mostrën prej 185 vendvotimeve.

Gjykata Supreme vlerëson se ankuesi nuk kishte paraqitur prova të mjaftueshme që do të arsyetonin rinumërimin e plotë, ndërsa raporti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për rinumërimin e 185 vendvotimeve nuk përbënte bazë të mjaftueshme për një masë të tillë.
Gjykata vlerëson se korrigjimet e evidentuara apo të pasqyruara në raport, nuk krijojnë një bazë objektive për të konkluduar se procesi i numërimit është karakterizuar nga parregullsi sistematike. Natyra dhe shpërndarja e këtyre korrigjimeve tregojnë se ato kanë qenë sporadike dhe nuk kanë arritur një intensitet të tillë që do të cenonte besueshmërinë e rezultatit përfundimtar apo integritetin e procesit të numërimit.
Me aktgjykimin AA.nr.33/2026, Gjykata Supreme ka refuzuar si të pabazuar ankesën
kandidatit për deputet Qëndrim Kryeziu, nga Subjekti Politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me seli në Prishtinë, e paraqitur kundër vendimit të PZAP-se, ZP.Anr.55/2026.
Qëndrim Kryeziu pretendoi se PZAP gabimisht e kishte trajtuar ankesën e tij si çështje tashmë të gjykuar, ndonëse, sipas tij, ankesa ngrinte një çështje më të gjerë lidhur me besueshmërinë e rezultatit përfundimtar të listës së PDK-së. Ai argumentoi se fakti që ndryshime ishin evidentuar te 90 nga 110 kandidatët e PDK-së, ndërkohë që ishte verifikuar vetëm një pjesë e vogël e votave, ngrinte dyshime për saktësinë e rezultatit përfundimtar. Po ashtu, ai pretendoi se raporti i KQZ-së dëshmonte ekzistencën e një defekti sistematik në procesin e numërimit fillestar, si dhe kishte kërkuar rinumërimin e plotë të votave preferenciale të kandidatëve të PDK-së dhe pezullimin e certifikimit të rezultatit zgjedhor deri në përfundimin e këtij procesi.
Nga shqyrtimi i shkresave të lëndës, Gjykata Supreme konstatoi se PZAP kishte shqyrtuar në mënyrë të rregullt pretendimet e ankuesit dhe kishte arritur në përfundimin se ankesa ishte e pabazuar. Gjykata vlerëson se pretendimet e paraqitura mbështeteshin në të njëjtat të dhëna dhe rezultate të rinumërimit që kishin qenë objekt i shqyrtimit edhe më parë, ndërsa raporti i KQZ-së nuk provonte ekzistencën e parregullsive sistematike që do të impononin rinumërim të plotë të votave. Gjithashtu, u vlerësua se rinumërimi i 185 vendvotimeve ishte realizuar në kuadër të mekanizmave të kontrollit të paraparë me legjislacionin zgjedhor dhe jo si pasojë e konstatimit të parregullsive sistematike në procesin e numërimit.
Ndaj, Gjykata Supreme vlerëson se vendimet e PZAP-së janë marrë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe se pretendimet ankimore nuk janë mbështetur me prova bindëse që do të justifikonin ndërhyrjen në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Gashi: Historia bëhet nga ata që guxojnë, por liria u përket të gjithëve!

Haziri: Emri i Bekim Sejdiut për president është propozuar nga të dyja partitë, jo veç nga LDK-ja

Haziri: Emri i Bekim Sejdiut për president është propozuar nga të dyja partitë, jo veç nga LDK-ja

Veliu “sulmon” Abdixhikun për 6 deputetët: Ata nuk janë problemi

Veliu “sulmon” Abdixhikun për 6 deputetët: Ata nuk janë problemi

6 vite nga Marrëveshja e Washingtonit, Hoti: Kur Kosova udhëhiqej nga një qeveri me orientim të qartë euroatlantik

6 vite nga Marrëveshja e Washingtonit, Hoti: Kur Kosova udhëhiqej nga një qeveri me orientim të qartë euroatlantik

Kusari-Lila beson se do të ketë vazhdimësi të suksesshme të konstituimit të Kuvendit

Kusari-Lila beson se do të ketë vazhdimësi të suksesshme të konstituimit të Kuvendit

Nderimet shtetërore për Mlladiqin, Kurti: Vështirë të flitet në atë shoqëri për pendesë apo distancim nga politika që prodhoi ato krime

Nderimet shtetërore për Mlladiqin, Kurti: Vështirë të flitet në atë shoqëri për pendesë apo distancim nga politika që prodhoi ato krime

Gjini: Kosova tashmë është vetëm jashtë normave të rregullimit të vet kushtetues

Gjini: Kosova tashmë është vetëm jashtë normave të rregullimit të vet kushtetues

BMW tërheq gati 200 mijë vetura, rrezik për zjarr në motor

BMW tërheq gati 200 mijë vetura, rrezik për zjarr në motor

Miftaraj: Historia do ta mbajë mend Avni Deharin si dikush që po tallet me Kuvendin e Kosovës

Miftaraj: Historia do ta mbajë mend Avni Deharin si dikush që po tallet me Kuvendin e Kosovës

Seanca e 9 shtatorit, në rend dite zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve – ftesa që iu dërgua deputetëve

Seanca e 9 shtatorit, në rend dite zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve – ftesa që iu dërgua deputetëve

Kos paralajmëron Serbinë: Kthimi i eshtrave të Mlladiqit do të jetë “provë shumë e rëndësishme” për rrugën drejt BE-së

Kos paralajmëron Serbinë: Kthimi i eshtrave të Mlladiqit do të jetë “provë shumë e rëndësishme” për rrugën drejt BE-së

Aktakuza për krimet e luftës në Prekaz, identifikohen 35 të pandehur për sulmin në lagjen e Jasharajve

Aktakuza për krimet e luftës në Prekaz, identifikohen 35 të pandehur për sulmin në lagjen e Jasharajve

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për krimet e luftës në Prekaz, Isufaj: Është e para për vrasjen e civilëve në familjen Jashari

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për krimet e luftës në Prekaz, Isufaj: Është e para për vrasjen e civilëve në familjen Jashari

AAB shënon një nga mbrëmjet më të veçanta akademike: Gjenerata XXIII diplomon në një ceremoni madhështore

AAB shënon një nga mbrëmjet më të veçanta akademike: Gjenerata XXIII diplomon në një ceremoni madhështore

Akuzat për 53-milionëshin, Lekaj ndihet i pafajshëm: S’kam asgjë për të shtuar

Akuzat për 53-milionëshin, Lekaj ndihet i pafajshëm: S’kam asgjë për të shtuar

Hamiti: Qysh 6 deputetë po e dërguakan vendin në zgjedhje, kur Kuvendi i ka 120 deputetë?

Hamiti: Qysh 6 deputetë po e dërguakan vendin në zgjedhje, kur Kuvendi i ka 120 deputetë?