Lajmet

Rama mesazh “flamingove”: Protesta nuk është më e juaja, u kthye në një arkmort politik

05.07.2026 17:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Rama mesazh “flamingove”: Protesta nuk është më e juaja, u kthye në një arkmort politik

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së zhvilluar të shtunën në Tiranë, ku protestuesit vendosën edhe një arkmort simbolik në bulevard. Përmes një mesazhi të gjatë të publikuar në rrjetet sociale, të shoqëruar me një video, Rama iu drejtua pjesëmarrësve në protestë, duke u bërë thirrje të mos lejojnë që kauza e tyre të përdoret nga grupe me interesa politike.

Në videon e publikuar, kryeministri ndërthur pamjet e arkivolit simbolik të vendosur gjatë protestës me sekuenca arkivore nga ngjarjet e shtatorit 1998, kur pas ceremonisë mortore të deputetit Azem Hajdari u sulmuan institucionet shtetërore. Përmes këtij krahasimi, Rama sugjeron se simbolika e përdorur në protestë rikthen kujtime nga një prej episodeve më të rënda të përplasjes politike në vend.

Kreu i qeverisë thekson se nuk vë në dyshim shqetësimet e qytetarëve që morën pjesë në protestë, por pretendon se protesta është devijuar nga aktorë të tjerë, të cilët sipas tij synojnë të pengojnë rrugën europiane të Shqipërisë.

“Po, ishte krejt i pritshëm për mua. Sepse nuk është as e para dhe as e fundit Shqipëria, ku duar të stërvitura armiqsh e dashakëqinjsh ndaj shoqërive demokratike futen, marrin nën kontroll e bëjnë çmos të devijojnë protesta që lindin si shprehje e ndjenjave të sinqerta të qytetarëve”, shkruan Rama.

Rama akuzon se protesta u përdor nga grupe dhe individë që, sipas tij, kanë objektiv të ndalin procesin e integrimit europian të vendit.

“Sot i bashkon një qëllim i errët: ta ndalin Shqipërinë dhe ta kthejnë së prapthi, mu në kilometrat e fundit të rrugës shumëshekullore drejt Bashkimit Europian. Tirana është kryeqyteti i Europës së Ballkanit, jo kryeqeleshe iluzionesh nacional-komuniste, nacional-islamiste apo nacional-izolacioniste”, shkruan ai.

Në reagimin e tij, kryeministri u shpreh se pjesëmarrësit në protestë nuk duhet të heqin dorë nga kërkesat dhe shqetësimet e tyre, por i ftoi të mos lejojnë që protesta të shfrytëzohet për qëllime të tjera.

“Ajo protestë nuk është më e juaja, të dashur flamingo. Ju jeni bërë, pa autorizimin dhe jashtë dëshirës suaj, alibia e një arkmorti të rikthyer në bulevard. Kjo nuk është një thirrje që të hiqni dorë nga ndjenjat dhe mendimet që ju bënë bashkë, por një ftesë që të mos hiqni dorë nga kujtesa. Kush harron nga vjen, nuk di më se ku po shkon”, shkruan ndër të tjera Rama.

Rama theksoi se Shqipëria ndodhet në fazën përfundimtare të rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe se, sipas tij, asnjë përpjekje për të nxitur përçarje apo tension politik nuk do ta ndalë këtë proces.

Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama

Të dashur flamingo

Kjo video-kartolinë e trishtueshme është bërë për ata ndër ju që njëzet vjet më parë ishin fëmijë ose ende embrion në barkun e nënës;

për ata që, edhe pse atëherë ishin mjaftueshëm të rritur, Shqipërinë dhe Tiranën e asaj kohe i kanë lënë aq larg pas, sa sot u duken ose sikur nuk kanë ekzistuar kurrë, ose sikur kujtesa për të djeshmen është një barrë që i pengon të kërkojnë më shumë nga e sotmja;

dhe për ata që u larguan nga Shqipëria e Tirana, por që së fundmi kthehen për një rrugë e dy punë, nga një anë pushime në Shqipërinë e re të një realiteti të transformuar me reforma, punë, mund e durim kolosal, nga ana tjetër dalje në protestë për një “Shqipëri të re”; një Shqipëri çelësash magjikë, në emër të së cilës kërkohet që kontrata zgjedhore me popullin të shkelet me autokolona makinash të veshura kuqezi.

Predikohet që institucionet demokratike duhet të shënjestrohen dhe çlirohen me forcë si kështjella armike.

Justifikohet dhuna ndaj të zgjedhurve të popullit që duhen penguar të hyjnë dhe dalin nga puna në Kuvendin e Shqipërisë.

Dhe përcaktohet nga një “popull” i vetëshpallur në rrugë, se kush është atdhetari e kush tradhëtari, kush shkon në burg, kush linçohet e kush lëvdohet.

Nuk është qëllimi im t’ju bëj të ndjeheni se ishit gabim, përderisa protesta juaj u katandis në një kopje të zmadhuar të protestave të shëmtuara të kënetës politike. Sepse jo, ju nuk ishit aspak gabim kur u ndjetë të zënë në një kurth problemesh më të mëdha se sa fuqia juaj për t’i zgjidhur dhe ku gjetët njëri-tjetrin me sekëllditë e me shpresat tuaja.

Jo, ju nuk jeni gabim as sot nëse ndiheni mirë duke u njehsuar si një bashkësi e madhe njerëzish nga të gjitha rrugët e jetës, me zogjtë, me natyrën, me tokën, me atdheun, me Shqipërinë.

Jo, ju nuk jeni gabim, që kërkoni të ngriheni mbi përditshmërinë e zakonshme dhe të kërkoni nga ky vend shumë më tepër sesa është arritur deri më sot.

Kjo nuk është vetëm e drejtë. Kjo është e nevojshme.

Dhe sado çuditshëm mund t’ju tingëllojë, unë ju jam falenderues për dritën e shpresës dhe të alarmit që ju ndezët me energjinë e protestës suaj paqësore, po kjo është një bisedë më e gjatë për një ditë të afërt.

Eshtë e drejta juaj të kërkoni nga jeta në këtë vend, shumë më tepër se sa është arritur në harkun kohor mes arkmortit që 20 vjet më parë kishte brenda një të vdekur dhe arkmortit që mbrëmë, në të njëjtin bulevard, kishte brenda humnerën mes jush dhe atyre që dritën e protestës suaj e futën në një arkmort.

20 vjet më parë arkmorti u përdor për të ngjitur shkallët e kështjellës së kryeministrisë dhe i vdekuri u bë mish për top, duke i rënë portës së saj si dikur në mesjetë, për të hedhur poshtë qeverinë. Ndërsa mbrëmë arkmorti u rishfaq si rezultati krejt i pritshëm për mua i një përpjekjeje të orkestruar për të thyer shkallët e ngjitjes më lart të këtij vendi, duke e kthyer kokëposhtë Shqipërinë e ngritur më në fund në këmbë, pas një gjunjëzimi të gjatë, politikisht, ekonomikisht, ndërkombëtarisht.

Po, ishte krejt i pritshëm për mua. Sepse nuk është as e para dhe as e fundit Shqipëria, ku duar të stërvitura armiqsh e dashakëqinjsh ndaj shoqërive demokratike (me fatet e lidhura me Bashkimin Europian a me Shtetet e Bashkuara) futen, marrin nën kontroll e bëjnë çmos të devijojnë në dëm të këtyre shoqërive, protesta që lindin si shprehje ndjenjash të sinqerta nga barku i shoqërisë, jo nga konspiracionet ndërkombëtare.

Natyrisht, ato duar e marrin nën kontroll një protestë edhe falë zellit të sallahanëve që ka çdo vend, e që këtu janë të mirënjohur nga të gjithë, llapaqorrat me shokë, të cilët kujtuan se u bë bulevardi kos dhe e rrethuan menjëherë protestën tuaj, si hienat sorkadhen. Pas hutimit të fillimit, hynë në lojë edhe ujqit e lodhur të Rrugës së Shpresës, që për t’u maskuar si patriotë i dhanë hov tregtisë së qelesheve në mes të vapës. E kur ju nisët të shtegtoni nga bulevardi duke krijuar boshllëqe për fotografitë “200 mijëshe” të medias ndërkombëtare, u mobilizuan edhe çakenjtë e “diasporës” nga Prishtina e nga Tetova, të cilët panë në bulevard vatrën e shumëpritur për benzinën e tyre të urrejtjes ndaj Tiranës zyrtare, ku s’kanë gjetur dhe s’kanë për të gjetur asnjë hapësirë për të zhvilluar deliret e tyre nacional-folklorike. Sepse Tirana është kryeqyteti i Europës së Ballkanit, jo kryeqeleshe iluzionesh nacional-komuniste, nacional-islamiste apo nacional-izolacioniste.

Sigurisht që ato duar e ato forca që janë përzier në çorbën e arkmortit, nuk e kontrollojnë njëra-tjetrën apo më saktë, kanë papajtueshmëri ekstreme mes njëra-tjetrës. Por asnjë papajtueshmëri s’ka rëndësi sot për to, sepse sot i bashkon, disa me vetëdije e shumë të tjerë qorrazi, qëllimi i errët për ta ndalur Shqipërinë dhe kthyer së prapthi, mu në kilometrat fundit të rrugës shumëshekullore drejt diellit që lind ku perëndon. Po as kjo nuk është një bisedë për sot, aq më tepër që ju s’keni asnjë lidhje me ta.

Sot ka një gjë kryesore për të thënë. Ajo protestë nuk është më e juaja të dashur flamingo! Ju jeni bërë, pa autorizimin tuaj dhe jashtë dëshirës suaj, alibia e një arkmorti të rikthyer në bulevard si shembëlltyrë e mallkimit që e ka ndjekur Shqipërinë qysh prej vitit 1912; duke përdorur gjithmonë atdheun, flamurin dhe sovranitetin si lëndë të para për të ushqyer urrejtjen mes shqiptarëve dhe si gozhda ndëshkimi që, më shumë se një herë, e kanë kyçur këtë vend në humnerën brenda atij arkmorti.

Ama kjo video-kartolinë e trishtë nuk është kurrësesi një thirrje, që ju të hiqni dorë nga ndjenjat e mendimet që ju bënë bashkë. Jo, kjo është vetëm një ftesë miqësore që ju të mos hiqni dorë në asnjë mënyrë nga kujtesa. Sepse historia nuk është një barrë nga e cila shpëtojmë duke e flakur jashtë vëmendjes sonë, po është busulla që nuk na lejon të humbasim rrugën tonë.

Kush harron nga vjen, nuk di më se ku po shkon.

Love

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Haziri: Emri i Bekim Sejdiut për president është propozuar nga të dyja partitë, jo veç nga LDK-ja

Haziri: Emri i Bekim Sejdiut për president është propozuar nga të dyja partitë, jo veç nga LDK-ja

Veliu “sulmon” Abdixhikun për 6 deputetët: Ata nuk janë problemi

Veliu “sulmon” Abdixhikun për 6 deputetët: Ata nuk janë problemi

6 vite nga Marrëveshja e Washingtonit, Hoti: Kur Kosova udhëhiqej nga një qeveri me orientim të qartë euroatlantik

6 vite nga Marrëveshja e Washingtonit, Hoti: Kur Kosova udhëhiqej nga një qeveri me orientim të qartë euroatlantik

Kusari-Lila beson se do të ketë vazhdimësi të suksesshme të konstituimit të Kuvendit

Kusari-Lila beson se do të ketë vazhdimësi të suksesshme të konstituimit të Kuvendit

Nderimet shtetërore për Mlladiqin, Kurti: Vështirë të flitet në atë shoqëri për pendesë apo distancim nga politika që prodhoi ato krime

Nderimet shtetërore për Mlladiqin, Kurti: Vështirë të flitet në atë shoqëri për pendesë apo distancim nga politika që prodhoi ato krime

Gjini: Kosova tashmë është vetëm jashtë normave të rregullimit të vet kushtetues

Gjini: Kosova tashmë është vetëm jashtë normave të rregullimit të vet kushtetues

BMW tërheq gati 200 mijë vetura, rrezik për zjarr në motor

BMW tërheq gati 200 mijë vetura, rrezik për zjarr në motor

Miftaraj: Historia do ta mbajë mend Avni Deharin si dikush që po tallet me Kuvendin e Kosovës

Miftaraj: Historia do ta mbajë mend Avni Deharin si dikush që po tallet me Kuvendin e Kosovës

Seanca e 9 shtatorit, në rend dite zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve – ftesa që iu dërgua deputetëve

Seanca e 9 shtatorit, në rend dite zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve – ftesa që iu dërgua deputetëve

Kos paralajmëron Serbinë: Kthimi i eshtrave të Mlladiqit do të jetë “provë shumë e rëndësishme” për rrugën drejt BE-së

Kos paralajmëron Serbinë: Kthimi i eshtrave të Mlladiqit do të jetë “provë shumë e rëndësishme” për rrugën drejt BE-së

Aktakuza për krimet e luftës në Prekaz, identifikohen 35 të pandehur për sulmin në lagjen e Jasharajve

Aktakuza për krimet e luftës në Prekaz, identifikohen 35 të pandehur për sulmin në lagjen e Jasharajve

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për krimet e luftës në Prekaz, Isufaj: Është e para për vrasjen e civilëve në familjen Jashari

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për krimet e luftës në Prekaz, Isufaj: Është e para për vrasjen e civilëve në familjen Jashari

AAB shënon një nga mbrëmjet më të veçanta akademike: Gjenerata XXIII diplomon në një ceremoni madhështore

AAB shënon një nga mbrëmjet më të veçanta akademike: Gjenerata XXIII diplomon në një ceremoni madhështore

Akuzat për 53-milionëshin, Lekaj ndihet i pafajshëm: S’kam asgjë për të shtuar

Akuzat për 53-milionëshin, Lekaj ndihet i pafajshëm: S’kam asgjë për të shtuar

Hamiti: Qysh 6 deputetë po e dërguakan vendin në zgjedhje, kur Kuvendi i ka 120 deputetë?

Hamiti: Qysh 6 deputetë po e dërguakan vendin në zgjedhje, kur Kuvendi i ka 120 deputetë?

Osmanit për Kurtin: S’mund të them më se e njoh aq mirë, dikur kam menduar se e njoh

Osmanit për Kurtin: S’mund të them më se e njoh aq mirë, dikur kam menduar se e njoh