Deputetët e Partisë radikale serbe e kanë braktisur mbledhjen në Këshillin për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, në të cilin është folur për dialogun Beograd – Prishtinë pasi kryetari i Këshillit, Milovan Drecun, pas kërkesës së tyre, nuk e ndërpreu mbledhjen, transmeton Koha.net.
Deputeti i Partisë radikale Nemanja Sharoviq e ka ftuar Drecunin ta ndërpresë mbledhjen deri sa të mos i kërkonte falje drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq.
“Përfaqësuesi i Qeverisë më ka krahasuar me Edita Tahirin dhe më ka thënë ‘turp të kesh’. Keni qenë të detyruar ta ndërprisni mbledhjen sepse nuk mund të vazhdoni derisa Gjuriq nuk e respekton Kuvendin”, citojnë medie të Beogradit të ketë thënë Sharoviq.
Ai ka shtuar se nuk është fajtor që negociatat janë në qorr sokak dhe që rezultati i tyre është zero.
Gjuriq ka thënë se radikalët në marrëveshje shohin atë që s’është dhe atë që e sheh Edita Tahiri.
















