Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka reaguar lidhur me kontrollet që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) po zhvillon në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit, duke theksuar se ato janë pjesë e mandatit të rregullt ligjor të institucionit dhe kanë për qëllim mbrojtjen e interesit publik.
Sipas Mujës, qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë konsumojnë dhe zbatimi i ligjit duhet të jetë i barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë.
“Siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë. Qytetarët tanë duhet të dinë se çka hanë e çka pinë për të cilat edhe paguajnë. Kontrollet që po zhvillon Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit janë pjesë e mandatit të saj të rregullt ligjor për të mbikëqyrur zbatimin e Ligjit për Ushqimin dhe standardeve të sigurisë ushqimore. Njëjtë edhe kjo sot në kompaninë ‘Vita’”, ka shkruar Muja.
Ai ka theksuar se kontrollet kanë për qëllim verifikimin e respektimit të standardeve ligjore dhe të sigurisë ushqimore nga operatorët ekonomikë.
“Këto veprime kryhen për të verifikuar respektimin e protokolleve të prodhimit, shkallën e zbatimit të normave ligjore, licencave dhe autorizimeve, si dhe përputhshmërinë e operatorëve ekonomikë me kërkesat ligjore. Qëllimi i vetëm i këtyre kontrolleve është mbrojtja e interesit publik. Ato shërbejnë për të garantuar sigurinë e ushqimit, për të mbrojtur konsumatorët dhe për të siguruar kushte të drejta për prodhuesit dhe përpunuesit që respektojnë ligjin”, ka theksuar ai.
Më tej, Muja ka nënvizuar se AUV-ja ushtron të njëjtin mandat ndaj të gjithë operatorëve ekonomikë, pa dallim.
“AUV ushtron të njëjtin mandat në të gjitha segmentet e industrisë ushqimore. Kontrollet zyrtare zhvillohen ndaj operatorëve ekonomikë pa dallim sektori, madhësie apo pozite në treg, sepse zbatimi i ligjit duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Një sistem i besueshëm i kontrollit ushqimor ndërton besim te konsumatorët, mbron prodhimin vendor dhe forcon konkurrencën e ndershme në treg. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin”, ka shtuar Muja.



























