Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pritur në Gllogjan një delegacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të shënimit të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së.
Sipas Haradinajt, në delegacion bënin pjesë profesorët Daniel Serwer dhe Edward Joseph, Mario Marquez, Ramiz Tafilaj, si dhe shqiptaro-amerikanë të tjerë.
Haradinaj ka vlerësuar kontributin e tyre për Kosovën, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të tyre në forcimin e marrëdhënieve me aleatët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në nderim të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Gllogjan patëm nderin t’i presim delegacionin nga Amerika, në përbërje të Prof. Daniel Serwer, Prof. Edward Joseph, Mario Marquez dhe Ramiz Tafilaj dhe shqiptaro-amerikanë tjerë të respektuar. Angazhimi i tyre ndaj Kosovës është shumë me vlerë për rrugën dhe përcaktimet drejt rikthimit në partneritetin strategjik me aleatët, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Haradinaj.
Ai bëri të ditur se, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, ka dekoruar Daniel Serwerin dhe Mario Marquezin me medaljen “Me besim në Zot, Atdhe e Shtet”.
“Me respekt dhe mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në të gjitha etapat, z. Daniel Serwer dhe z. Mario Marquez i dedikova medaljen ‘Me besim në Zot, Atdhe e Shtet’”, ka theksuar Haradinaj.




























