Trafikimi i refugjatëve, rrezik për sigurinë

E publikuar: 17/10/2016 08:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova është duke u rrezikuar nga grupe të ndryshme kriminale. Por, kohëve  të fundit rrezik për sigurinë në vend paraqet edhe trafikimi i refugjatëve sirianë përmes Kosovës.

Nga njohës të çështjeve të sigurisë, kjo dukuri muajt e fundit është rritur në masë të madhe.

Burim Ramadani thotë se trafikimi i njerëzve është një vepër e përbashkët kriminale e rrjeteve dhe organizatave kriminale nga rajoni ballkanik dhe jo vetëm nga Kosova. Sipas tij, kjo dukuri paraqet rrezik në sigurinë kombëtare.

Ramadani shton se institucionet e sigurisë duhet të jenë më aktive në parandalimin e këtij fenomeni.

Për njohësin tjetër të sigurisë, Avni Islami, çështja e refugjatëve nga Siria dhe Iraku, është problem evropian.

“Rritja e numrit të refugjatëve i bart edhe rreziqet e veta sepse mund të infiltrohen pjesëtarë të grupeve terroriste, por kjo nuk do të thotë që duhet të merren masa diskriminuese ndaj refugjatëve, sepse edhe vetë kemi qenë refugjatë, dhe mbi të gjitha është obligim ligjor. Por, natyrisht se duhet të rritet shkalla e sigurisë, të merren masat e nevojshme që të përcillen individë të dyshuar”, ka thënë ai.

Për këtë çështje, “Tribuna Channel” ka provuar të marrë një qëndrim nga Ministria e Punëve të Brendshme, por ata kanë sugjeruar që t’i drejtohen Policisë së Kosovës.