Daçiqin e shqetëson Ligji për Trepçën: Do t’i drejtohemi Këshillit të Sigurimit!
Serbia duhet të bëjë gjithçka për të mbrojtur pronën e saj në Kosovë, por pyetja është nëse kjo çështje mund të arrihet përmes seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha sot ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.
“Është e rëndësishme që para botës ta mbajmë kokën e ftohur dhe të mos humbim arsyen”, ka thënë Daçiq në një intervistë për “Kurir”.
Ai tha se në mbledhjen e Qeverisë së Serbisë, do të marrë parasysh propozimin e të ashtuquajturit drejtorit të Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, i cili kërkoi nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së një takim urgjent, për shkak të miratimit të ligjit të Trepçës në parlamentin e Kosovës, transmeton KosovaPress.
“Nëse është kështu, atëherë ne do t’i drejtohemi Këshillit të Sigurimit, sidomos kryetarit që të thërrasë një mbledhje të jashtëzakonshme. Ne kemi të drejtë ta bëjmë këtë, e mbi të gjitha Kosova është në kuadër të Rezolutës 1244”, tha Daçiq.